Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, ka paralajmëruar arrestime edhe në Kadastrën e Tiranës sikurse në 2019-ën me Kadastrën e Durrësit.
I ftuar në “Opinion”, Lame tha se shumë shpejt do të shohim edhe Tiranën si historia e Kadastrës së Durrësit ku pati disa të arrestuar, për tjetërsim të pronës.
“Së shpejti do të shohim edhe në Tiranë atë që ka ndodhur në Kadastrën e Durrësit, pasi ka patur mbivendosje të pronës”, deklaroi Lame.
Kujtojmë se, në tetor të vitit 2019-të, u arrestuan 18 punonjës mes të cilëve juristë, drejtorë dhe ish-specialistë të akuzuar për tjetërsim të sipërfaqeve të tokave, ku ua kishin shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit. Mes të arrestuarve ishin ish-kryetari i Komunës Ishëm, Sulejman Ibrahimi, ish-drejtori i Hipotekës së Durrësit, Ardian Iljazaj, ish-drejtoresha e Hipotekës në Durrës, Edlira Nova.