Bota17 Shkurt 2022, 18:23

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit, Blinken i bindur për një sulm rus ndaj Ukrainës në ditët e ardhshme

Shkruar nga Pamfleti
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit, Blinken i bindur për një

Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken është shprehur i bindur se një sulm rus ndaj Ukrainës do të ndodhë në ditët e ardhshme, duke shtuar se do të fillojë me një pretekst të fabrikuar.

Duke folur në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit së OKB, Blinken shtoi se SHBA-të nuk janë ende të sigurt se “çfarë forme” mund të ketë preteksti, por mundësitë përfshijnë fabrikimin e një sulmi terrorist me bombë në rusi, zbulimin e një varri masiv, ose një sulm të rremë – ose real – me armë kimike, raporton “Reuters”. Pas një incidenti të tillë, Blinken thotë se qeveria ruse ka të ngjarë “të mbledhë në mënyrë teatrale” një takim urgjent. Pas kësaj, raketat dhe bombat ruse do të fillonin të godisnin objektivat ukrainas, si dhe do të bllokojnë komunikimet përmes sulmeve kibernetike.

“Mund të jetë një akt i dhunshëm për të cilin Rusia do të fakjësojë Ukrainën ose një akuzë e fortë që Rusia mund të bëjë ndaj qeverisë ukrainase. Nuk e dimë saktësisht formën që do të marrë. Mund të jetë një sulm i sajuar i ashtuquajtur terrorist brenda Rusisë; një pretendim i rremë për zbulimin e një varri masiv, ose një sulm i orkestruar me dron kundër civilëve, ose një sulm i rremë dhe ndoshta dhe i vërtetë me armë kimike”, tha sekretari Blinken.

Blinken po merr pjesë në takimin e Këshillit prej 15 anëtarësh mbi marrëveshjet e Minskut, i cili synon t’i japë fund një konflikti 8-vjeçar midis ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të vendit. Takimi erdhi mes tensioneve të larta, pasi ShBA-të akuzuan Rusinë se ka vendosur rreth 150,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës në javët e fundit. Ndërkohë, në kampin tjetër, Rusia ka mohuar vazhdimisht akuza të ngjashme të ardhura nga SHBA-të dhe ka thënë se po tërheq forcat nga rajoni.

Duke folur para Blinken, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Vershinin u bëri thirrje anëtarëve të këshillit që të mos e kthenin takimin “në një cirk” duke paraqitur një “akuzë të pabazë duke thënë se Rusia gjoja do të sulmonte Ukrainën”.

“Unë mendoj se kemi pasur mjaft spekulime për këtë,” tha Vershinin. “Ne e kemi sqaruar shumë kohë më parë gjithçka dhe kemi shpjeguar gjithçka.”

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane kishte paralajmëruar më herët se Rusia mund të përdorë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit si pjesë e një përpjekjeje për të “krijuar një pretekst për një pushtim të mundshëm” pasi Rusia shpërndau një dokument tek anëtarët e këshillit, duke pretenduar se krimet e luftës ishin kryer në Ukrainën juglindore. Zyrtari amerikan i hodhi poshtë pretendimet ruse si “kategorikisht të rreme”.

Duke iu referuar rusëve etnikë që jetojnë në Ukrainën lindore, Vershinin tha se ata “paraqiten ende si të huaj në vendin e tyre” dhe janë në shënjestrën e ushtrisë ukrainase. Ai u tha anëtarëve të këshillit se do të “tmerroheshin” nga dokumenti që Rusia kishte ndarë me ta.

Më herët të enjten, separatistët e mbështetur nga Rusia dhe forcat e qeverisë ukrainase shkëmbyen akuza për gjuajtje me predha përgjatë vijës së armëpushimit në rajonin Donbass të Ukrainës lindore, në atë që Kievi tha se dukej të ishte një “provokim”.  Yaşar Halit Çevik, shefi monitorues i Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në Ukrainë, i tha Këshillit të Sigurimit se ndërsa rreth 500 shpërthime ishin regjistruar gjatë natës, “tensioni mund të duket se po zbutet”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së është mbledhur dhjetëra herë për të diskutuar krizën e Ukrainës që kur Rusia aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014. Ai nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim sepse Rusia është një fuqi e vetos së bashku me Francën, Britaninë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara./Reuters-Pamfleti

Bota #Blinken Rusia Ukraina