
Presidenti Bajram Begaj ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku do të diskutohet për një sërë çështjesh. Presidenca ka zbardhur fjalën e kreut të shtetit në nisje të takimit dhe bëhet me dije se në fokus ka qenë situata e vështirë e vitit që lamë pas.
Begaj ka deklaruar se lufta në Ukrainë, sulmi kibernetik dhe rritja e çmimeve kanë qenë sfidë për vendin. Po ashtu ai tha se ka shtete armiqësore që duan të ndikojnë në Ballkan.
“Viti që lamë pas, ishte i vështirë dhe sfidues për sigurinë kombëtare. Sulmi kibernetik shkaktoi probleme në infrastrukturat dixhitale. Në aspektin rajonal, ka përpjekje nga shtete me interesa jomiqësore për frenimin euroatlantik të tij. Shqipëria në krah të Kosovës për ruajtjen e paprekshëmrisë dhe integritetit territorial të saj. Agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike. Efektet e këtij agresioni u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve. Angazhimi gjithpërfshirës institucional për të siguruar bashkërendimin dhe përdorimin efikas të burimeve kombëtare në funksion të sigurisë, lirisë dhe mirëqenies”, ka thënë Begaj.
Fjala e Begajt
Viti që sapo kemi lënë pas ishte i vështirë dhe sfidues edhe për sigurinë tonë kombëtare. Në muajin korrik, ne u përballëm me një nga sulmet më të rënda kibernetike të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit, i cili jo vetëm shkaktoi probleme në infrastrukturën digjitale në vend, por ishte me qëllime të dukshme politike për të shkaktuar destabilitet.
Gjatë vitit 2022 kemi kaluar situata të vështira që lidhen me përmbytjet gjatë periudhës së dimrit; situatë e vështirë është krijuar dhe këto dy javët e fundit, si dhe zjarret gjatë periudhës së verës. Gjithashtu ka patur cënim të sigurisë publike nga fenomene të kriminalitetit, aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar, korrupsionit, emigracionit etj. Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqënies së qytetarëve.
Në aspektin rajonal ka patur zhvillime me ndikim direkt apo indirekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave tona kombëtare, ndërkohë që shtete me interesa jo miqësore, nëpërmjet instrumentave të ndryshëm janë përpjekur të zgjerojnë influencën e tyre dhe të frenojnë proceset integruese euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë.
Përgjatë gjithë vitit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATOs në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjelltë.
Agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e tij në fushën ekonomike u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve.
Në këtë takim të sotëm, ne do bëjmë një analizë të gjendjes së sigurisë kombëtare dhe ajo ç’ka është më e rëndësishme është të diskutojmë prioritet për vitin në vijim, në funksion të një angazhimi të plotë dhe gjithpërfshirës të të gjitha institucioneve, për të siguruar bashkërendimin e përpjekjeve dhe përdorimin efikas të burimeve kombëtare në funksion të sigurisë, lirisë dhe mirëqenies”, është shprehur presidenti i vendit.