Aktualitet23 Janar 2023, 16:50

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë/ Rishikohen dokumentet strategjikë, Begaj jep alarmin për ndikimin e huaj në rajon

Shkruar nga Pamfleti
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë/ Rishikohen dokumentet

Zbardhen konkluzionet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti thirri Këshillin për të diskutuar për një sërë çështjes, ndërsa në përfundim palët kanë rënë dakord për të rishikuar dokumentet strategjike që lidhen me sigurinë.

Siaps Presidencës, në përfundim të mbledhjes, pas raportimeve dhe diskutimeve në Këshillin e Sigurimit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë takim dhe angazhimin e të gjitha institucioneve për garantimin e sigurisë kombëtare në fushën e tyre të përgjegjësisë.

Presidenti theksoi si të rëndësishëm bashkërendimin, përpjekjet dhe sigurimin e gjithpërfshirjes institucionale, përdorimit efikas të burimeve kombëtare dhe kërkimit të kontributit të çdo qytetari në funksion të sigurisë kombëtare.

Presidenca njofton se Begaj kërkoi që të trajtohen me prioritet procesi i rishikimit dhe hartimit të dokumenteve strategjikë, Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, dokumenteve strategjike në fushën e  mbrojtjes dhe sigurisë, emergjencave civile, si dhe strategjive sektoriale.

Këto dokumente nuk duhet të jenë thjesht dokumente formalë, duhet të jenë të mirëbuxhetuara dhe sigurojnë përdorimin në mënyrë të koordinuar dhe harmonizuar të instrumenteve të fuqisë kombëtare në garantimin e sigurisë, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrisin mirëqënien e qytetarëve, dhe sigurojnë mbrojtjen e vlerave dhe interesave kombëtar të Republikës së Shqipërisë”, njofton Presidenca.

Ndërkohë në fjalën e tij, presidenti Begaj ka ngritur si shqetësim ndikimin e huaj në rajon. Sipas tij, ka shtete jo miqësore që duan të kenë ndikimin e tyre në Ballkan.

Në aspektin rajonal ka patur zhvillime me ndikim direkt apo indirekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave tona kombëtare, ndërkohë që shtete me interesa jo miqësore, nëpërmjet instrumentave të ndryshëm janë përpjekur të zgjerojnë influencën e tyre dhe të frenojnë proceset integruese euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë”, tha presidenti.

Më tej ai ka thënë se lufta në Ukrainë ka shkaktuar pasoja në të gjithë botën, përfshirë dhe në vendin tonë. Për këtë arsye është diskutuar mbi sigurinë ushqimore.

Agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e tij në fushën ekonomike u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve. Në këtë takim të sotëm, ne do bëjmë një analizë të gjendjes së sigurisë kombëtare dhe ajo ç’ka është më e rëndësishme është të diskutojmë prioritet për vitin në vijim, në funksion të një angazhimi të plotë dhe gjithpërfshirës të të gjitha institucioneve, për të siguruar bashkërendimin e përpjekjeve  dhe përdorimin efikas të burimeve kombëtare në funksion të sigurisë, lirisë dhe mirëqenies”, tha Begaj.

Më tej presidenti është ndalur te situata në Kosovë. Ai u shpreh se vendi ynë do të jetë në krah të Kosovës për të garantuar paprekshmërinë territoriale.

Përgjatë gjithë vitit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATO në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjellë”, theksohet më tej.

Në mbledhje kanë qenë të pranishëm kryeministri Edi Rama, shumica e ministrave dhe Ferdinad Xhaferraj, deputet i opozitës. Ai ka qenë në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. /Pamfleti

Kryesore #Begaj siguria kombwtare