Politike23 Janar 2023, 13:44

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, zbardhet lista e pjesëmarrësve; ja kush e përfaqëson opozitën

Shkruar nga Pamfleti
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, zbardhet lista e

Presidenti Bajram Begaj sot në orën 14:00 ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku do të përcaktohen prioritetet e vitit 2023 për çdo instancë shtetërore që lidhet me sigurinë e vendit.

Kjo është hera e dytë që Begaj thërret një mbledhje të tillë, më parë e bëri në tetor të vitit të kaluar, ku u diskutua për sulmet kibernetike në drejtim të vendit tonë, për të cilat u akuzua Republika Islamike e Iranit. Gjatë muajt korrik, por edhe më pas, u bllokuan sisteme të ndryshme, si portali qeveritar e-Albania, apo sistemi TIMS në pikat kufitare.

Këshilli i Sigurisë përbëhet nga 14 anëtarë dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës. Anëtarët e tjerë të tij janë kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe 7 ministra: i mbrojtjes, drejtësisë, punëve të brendshme, financave, transportit, punëve të jashtme dhe energjisë.

Në mbledhje pritet të marrin pjesë drejtuesit e istitucioneve kryesore në vend duke nisur nga Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ministrat: Niko Peleshi, Olta Xhacka, Bledi Cuci, Delina Ibrahimaj, ndërsa është ftuar edhe ministrja Frida Krifca.

Po ashtu në mbledhje do të jetë i pranishëm kreu i komisionit të sigurisë, Nasip Naço, si edhe nënkryetari i këtij komisionit, Ferdinand Xhaferri, si pjesë e opozitës.

Në mbledhje nuk do të mungojnë as shefi i Forcave të Armatosur, Arben Kingji, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku si edhe nëndrejtori i SHISH, Oljan Kanushi. I ftuar për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, është edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Politike #zbardhet lista e pjesëmarrësve në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të thirrur nga Presidenti