Aktualitet27 Nëntor 2022, 13:09

Mbledhje e përbashkët e Kuvendeve/ Kurti: Këtu nuk ka çifligje, duhet bashkëpunim. Rama: Na mungon Thaçi

Shkruar nga Pamfleti
Mbledhje e përbashkët e Kuvendeve/ Kurti: Këtu nuk ka

Mbledhja e përbashkët Shqipëri-Kosovë

Në vigjilje të 110-vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës zhvilluan sot një seancë të përbashkët parlamentare.

Mbledhja ka nisur me fjalën e mirëseardhjes të kryeparlamentares së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe pas saj ka përshëndetur takimin edhe homologu i saj nga Kosova, Glauk Konjufcka.

Në axhendën e dakordësuar bie në sy fakti se në listën e diskutantëve nuk është përfshirë asnjë nga përfaqësuesit Rithemelimit. Mbledhja protokollare  zgjati afërsisht 2 orë.

 

Nga kryeministrat i pari që mori fjalën ishte Albin Kurti.

Kryeministri Kurti e vuri gishtin te plaga e shpopullimit teksa po fliste në parlamentin shqiptar.

Kurti tha se ajo është drama e madhe e shqiptarëve.

Ai deklaroi se ndarjet krahinore janë prapambetje dhe se duhet të gëzohemi sa më shumë kur përfshihemi në çështjet publike të njëri tjetrit, jo për të prishur punë, por për të ndihmuar.

“Hapësira jone publike nuk janë çiflige të bllokuara me tapi. Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe të punojmë së bashku.

Në Kosovë ne i gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, është anëtare e NATO-s dhe ka nisur negociatat me Bashkimin Evropian. Uroj që sukseset e Shqipërisë të mos ndalen. Jam i sigurt se edhe në Shqipëri gëzohen për çdo sukses të Kosovës.

Rrezik është mosveprimi, jo veprimi. Vendet tona ballafaqohen me probleme, nga i cili më i mprehti është largimi i rinisë. Dua t’u dërgoj një mesazh atyre që kanë marrë udhën e dhimbshme të kurbetit: Mërgimtarët janë mbështetje ekonomike e madhe dhe burim demokratizimi.

E di se atje nuk po shkoni për qejf, por prej brengës. E di që ende nuk kemi bërë mjaftueshëm për t’ua kthyer besimin në institucione, drejtësi, shtet dhe politike që ta mendoni rritjen e fëmijëve në dheun tuaj. Por ne do e vazhdojmë këtë betejë deri në fund dhe do e fitojmë edhe me ndihmën tuaj. Shqipëria bëhet, Kosova bëhet. Puna është rruga jonë, nderi e besa janë cilësitë tona ne do t’i tregojmë botës se ashtu siç po nxjerrim këngëtarë, shkencëtarë, sportistë e afaristë ashtu do të bëjmë shtetin dhe demokracinë e suksesshme.” tha Kurti.

Mënjëherë pas fjalës së Kurtit, Rama mbajti fjalën e tij, me një minutazh pothuajse dyfishi i Kurtit.

Kryeministri Edi Rama, në seancën e përbashkët plenare Kosovë-Shqipëri, nuk harroi të përmende në përfundim të fjalimit të tij Hashim Thaçin.

Rama tha se shqiptarët nuk do të ishin këtu ku janë nëse nuk do të ishte LDK dhe UÇK-ja dhe të dyja këto shtoi kryeministri, lidhen me Ibrahim Rugovën dhe Hashim Thaçin.

Më tej, ai tha se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë gjithmonë “rozë”.

Rama deklaroi se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë se sot në raport me të huajt, duke mos lënë pa përmendur dhe shqiptarët e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Sa i përket marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, kryeministri shqiptar deklaroi se ato nuk janë vetëm të shkëlqyera, por dhe produktive.

Rama deklaroi se janë dy emra që i mungojnë sallës së Kuvendit të Shqipërisë në këtë ditë të veçantë, Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi.

“Ja ku jemi bashkë, si asnjëherë më parë. Dua të them diçka që nuk kam pasur rastin ta them, sot nuk mund të lihet pa kujtuar se historia jetësore e atyre 40 firmëtarëve të pavarësisë përshkohet në funde tragjike. Dhe trajtimi i tyre i mëvonshëm, para dhe pas rënies së komunizimit është i kufizuar sporadikisht.

Më lejoni të ndaj me ju bindjen se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë se sot në raport me të huajt. Por përsëri edhe sot nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten. Unë besoj se edhe njohja përfundimtare e Kosovës do vijë më herët dhe se Kosova nuk do presë aq sa ka pritur pavarësinë për t’u njohur ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër akoma më e prekshme dhe më mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut. Shumë më vonë pas lirisë së Kosovës, ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdonte të shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme, vendi ku flamuri shqiptar vazhdonte të shihej si një provokim. Sot nuk besoj se janë të shumtë ata që mund të thonë ata që e dinin se në 110 vjetorin e pavarësisë, Maqedonia e Veriut do kishte shqipen gjuhë zyrtare dhe kryeparlamentarin shqiptar. Po ashtu nuk besoj se e ka menduar dikush më parë se Mali i Zi mund të kishte një kryeministër shqiptar siç e ka sot. Të drejtat e shqiptarëve janë shumë herë më të avancuara se ka qenë ndonjëherë.

Marrëdhëniet nuk janë thjesht të shkëlqyera por dhe produktive, më shumë seç kanë qënë ndonjëherë tjetër. Këtë e tregojnë faktet dhe vullneti e rritja e aftësisë për ta zbatuar në praktikë bashkëpunimin në interes reciprok.” deklaroi Rama.

Në fillim të seancës, një mesazh të fortë dha edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjfca.

Në në fjalën e tij, ai e vuri theksin në marrëdhënien e fortë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ai përmendi dhe tensionet me Serbinë, teksa tha se Vuçiç nuk e fsheh lidhjen me Serbinë.

Sipas tij, vetëm duke qëndruar sëbashku, Kosova dhe Shqipëria, mund të mbrohen nga ky rrezik, pasi ai theksoi se tani Kosova po sulmohet nga brenda dhe jashtë.

“Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron BE, kurse Kosova aspiron NATO-n dhe anëtarësimin në BE. Orientimi ynë është i pa rezervë në BE dhe në një miqësi me SHBA. Përvoja na ka mësuar ne shqiptarëve që. Boat është më e pasigurt se dje, për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Serbia nuk e fsheh lidhjen me Rusinë. Serbia po na lufton nga brenda dhe nga jashtë, pa zgjedhur mjete, prej diplomacisë deri të kontrollimi i grupeve që janë të lidhura me krimin në veri të vendit tonë. Sa më afër njëra tjetrës aq më lehtë do jetë t’i mbrojmë interesat jetike të vendit tona.”, tha ai.

Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PS-së gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve, propozoi që takimi i radhës të jetë ne Prizren më 10 Qershor 2023.

Kryesore Kurti Mbledhja e përbashkët Shqipëri-Kosovë Rama