Është mbledhur sot Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ, të cilët pritet të shqyrtojnë ankesat për tre qarqet e ankimuara nga opozita.
Fillimisht pritet të mësohet vendimmarrja e KAS për ankesat në qarkun e Beratit, ku PD dhe LSI kanë kërkuar pavlefshmëri dhe përsëritje të procesit zgjedhor.
KAS do të shqyrtojë gjithashtu ankesat për Gjirokastrën pas shtyrjes së mbledhjes së ditës së djeshme. Në këtë seancë është paraqitur nënkryetarja e KQZ, Lealba Pelinku e cila i është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të KAS.
Pelinku thotë se janë 2 raste ku i njëjti person dyshohet se është paraqitur në 2 qendra votimi dhe se i përkasin administratës zgjedhore, komisioner ose operator.
Sa i përket dyshimeve për shenjat e gishtave, Pelinku thotë se me këtë çështje duhet të merret Prokuroria, teksa nga informacionet që ajo ka thotë se operatorët ditën e zgjedhjeve kanë pasur vështirësi në identifikimin nëpërmjet gishtave të personave kryesisht në moshë madhore, dhe për të përshpejtuar procesin kanë vendosur gishtat e tyre.
Gjithashtu KAS do të shqyrtojë edhe ankesat në qarkun e Beratit, ku dy ditë më parë u hapen 24 kuti me materiale zgjedhore, nga të cilat dolën në pah disa probleme me dokumentet dhe tentativa për votim të shumëfishtë.
Sakaq në këtë mbledhje të sotme do të vijoj shqyrtimi i ankesave të PD dhe LSI për qarkun e Vlorës, pasi ditën e djeshme u bë vetëm paraqitja e provave për manipulimet e pretenduara.