Më i aftë në retorikën e propagandës se Rama, kryebashkiaku i Tiranës, ai që mbushi kryeqytetin me kulla të oligarkëve, ka inspektuar punimet te dy fushat e tenisit në Parkun e Liqenit.
Teksa nënvizon se ajo ishte një hapësirë e zaptuar ndër vite dhe që po iu kthehet qytetarëve, Veliaj përpiqet të ‘fshijë nga memoria e tyre, ndërtesat e larta që kanë bllokuar monumentet, apo përgjimet e fundit të ‘Negrageta-s’, në të cilat thuhet se mafia po kërkon të ndërtojë të tjera gradaçela në Tiranë.
Veliaj tha se ka ikur koha e atyre që “tokën e xanun” e kishin filozofi politike, prandaj sot kjo hapësirë gjigante prej 3600 metrash i rikthehet qytetarëve.
“I zoti kishte zaptuar 36 metra, i kishte legalizuar dhe hipotekuar në kohën e atyre që ‘tokën e xanun’ e kishin filozofi politike. Mandej, nga 36 metra kishte marrë 3600 metra. Shumë qytetarë as nuk e kanë idenë se pas këtyre kangjellave është një hapësirë gjigante, që i është kthyer komunitetit. Por, përpara se të ngrejmë ‘qepenat’, po kryejmë një nga punimet më të mira që janë bërë në Parkun e Liqenit”, tha ai.
Veliaj rikujtoi kohët kur në Tiranë protestohej për çdo ndërhyrje e projekt që bënte bashkia në Parkun e Liqenit. Ai theksoi se më 25 prill, parimi është si të shtohen projektet transformuese dhe jo rikthehet filozofia e zaptimit.
“Kush fle gjumë dhe kush zapton, thotë të rikthehen edhe njëherë kohët e vjetra, ajo koha e kap ç’a të kapësh; zapto, përzë qytetarët nga hapësira e tyre. Por, ato janë kohë të kaluara e mos ardhshin kurrë. Në 25 prill parimi është si të bëjmë edhe më shumë gjëra të bukura, si ta shtojmë shpejtësinë e transformimeve, dhe jo të kthehemi te pistoleta në brez kundër këndit të lodrave, apo ujërat e zeza që derdheshin në liqen”, përfundoi Veliaj.
Projekti parashikon dy fusha tenisi me pikë shërbimi, me rol funksional dhe panoramik, dy tavolina ping-pongu, disa stola në formë shezlongu me pamje nga liqeni, dhe një mol. Gjithashtu, fushat e tenisit do të jenë të pajisura me 12 prozhektorë për ndriçim.
Nuk duhet të harrojmë se Veliaj është ai që mbjell 5 pemë dhe pas tyre, në zonë të gjelbër ndërton 10 pallate. Por ndryshe nga pemët, për pallatet ai nuk bën kronika.