Qeveria britanike thotë se dëshiron që pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin të shihet si i dështuar. Por ministrat rrallë shprehin se çfarë do të thotë kjo në praktikë. Përjashtim në këtë rast bën Liz Truss.
Në një fjalim muajin e kaluar, sekretarja e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se Rusia duhet të largohet nga “e gjithë Ukraina”.
Të enjten mbrëma ajo shkoi më tej, duke u thënë ministrave të G7-ës që sanksionet nuk duhet të hiqen derisa të ketë një tërheqje të plotë nga ana e Rusisë në territorin ukrainas dhe të arrihet paqja, raporton BBC.
Truss tha se presidenti rus Vladimir Putin duhet të përballet me një disfatë që “i mohon atij çdo përfitim dhe në fund e kufizon agresionin e mëtejshëm”.
Ajo gjithashtu bëri thirrje që Ukraina të ketë akses më të madh në pajisjet ushtarake të NATO-s.
Qëllime të tilla eksplicite dhe maksimaliste të luftës, kuptohet, janë të dizajnuara për t’i dërguar një sinjal Kremlinit se ai nuk mund të presë të bëjë ndonjë përfitim përmes akteve të dhunës. Por disa analistë kanë frikë se kërkesa të tilla specifike një ditë mund të përplasen me ato të Ukrainës dhe kjo mund ta bëjë më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje politike.
Ministrat e jashtëm të G7 do të takohen sërish të premten me homologët e tyre ukrainas dhe moldavë.