Politike10 Shtator 2022, 22:45

“Mbretëroi me dinjitet të pakrahasueshëm”, presidenti Begaj letër ngushëllimi Mbretit Charles III

Shkruar nga Pamfleti
“Mbretëroi me dinjitet të pakrahasueshëm”, presidenti

Presidenti Bajram Begaj i ka dërguar një letër Mbretit të ri britanik, duke shprehur ngushëllime për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth.

Në një letër drejtuar Mbretit Charles III, Begaj vlerëson rolin dhe detyrën e Mbretëreshës përgjatë 70 viteve si monarke.

Sipas presidentit, Mbretëresha ishte një figurë fort e dashur dhe e admiruar nga njerëzit në mbarë botën.

Letra e presidentit Begaj

Madhëria Juaj

Me keqardhje të thellë ju drejtohem për humbjen e Mbretëreshës se dashur, Madhërisë së Saj Elisabeta II. Në këto momente hidhërimi, në emrin tim personal dhe në emër të gjithë popullit shqiptar, shpreh ngushëllimet tona më të ndjera për Familjen Mbretërore, gjithë nënshtetasit e Madhërisë së saj në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbarë Komanuelthin.

Mbretëresha Elisabeta do të mbetet në histori dhe në kujtesën e se gjithë brezave, si personifikimi më shembullor i shtetarit të përkushtuar deri në çastet e fundit, ndaj vendit, detyrës dhe misionit, që historia i ngarkoi që në moshe të re.

Ajo mbretëroi me dinjitet të pakrahasueshëm, për plot 70 vite jo të lehta për Mbretërinë e Bashkuar dhe u përball me sfida të vështira, që nga shpërbërja e Perandorisë, e konfliktet e tejzgjatura me Irlandën e Veriut, Brexit, etj., por ia doli gjithmonë të ruaj paanshmërinë, të kultivojë marrëdhënie të shkëlqyera me udhëheqës të shumtë global dhe të kontribuojë për paqen dhe përparimin në vend dhe në mbarë botën duke fituar në mënyrë të natyrshme admirimin e të gjithëve.

Në kohët moderne, kur sistemi monarkik dukej i tejkaluar, Shkëlqesia e Saj e sfidoi kohën gjatë gjithë mbretërimit të Saj, me urtësinë dhe fisnikërinë karakteristike, me vendosmërinë e përulur dhe përkushtimin e saj absolut ndaj unitetit të vendit, duke u bërë një figurë fort e dashur dhe e admiruar nga njerëzit në mbarë botën.

Sot, të gjithë ne jemi pranë jush me mendime dhe lutje për shpirtin e saj dhe trashëgiminë e rrallë, që Ajo i Kurorës së Mbretërisë së Bashkuar, vendit të Saj dhe gjithë Njerëzimit.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Saj.

Politike #Begaj mbretëresha