Aktualitet23 Qershor 2022, 14:17

Mbyllet dita e parë e Samitit të BE-së/ Ukraina “fituesja e madhe”, Tirana dhe Shkupi “në dorë” të Bullgarisë

Shkruar nga Pamfleti
Mbyllet dita e parë e Samitit të BE-së/ Ukraina “fituesja e

Liderët e unionit dhe ata të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur për një foto familjare pas Samitit të BE-së në Bruksel, 23 qershor

Kanë përfunduar punimet e ditës së parë të samitit të BE-së në Bruksel ku morën pjesë 27 liderët e vendeve të Unionit, përfshirë presidentin e Këshillit të BE-së, presidenten e Komisionit Evropian dhe 6 udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

Rëndom pas takimit, është bërë edhe fotografia familjare e të gjithë pjesëmarrësve të takimit.

Ukraina “fituesja e madhe”

Në ditën e parë të samitit Parlamenti Evropian ka miratuar statusin e kandidaturës në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Në total, 529 vota u morën në mbështetje të rezolutës për statusin e tre vendeve, ndërsa 45 vota kundër propozimit dhe 14 politikanë të tjerë abstenuan.

Megjithëse tregon mbështetjen e gjerë për kërkesën e vendeve për të hyrë në BE, vendimi përfundimtar u takon udhëheqësve evropianë.

Përpara bisedimeve në BE, në të cilat vendi i tij ka të ngjarë t’i jepet statusi i kandidaturës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili aplikoi për anëtarësim në fillim të luftës, tha: “Kjo është si të shkosh në dritë nga errësira”.

Statusi i kandidaturës është fillimi i procesit të ngadaltë të kualifikimit për anëtarësim në BE, i cili mund të marrë më shumë se një dekadë për t’u arritur.

Shqipëria ende peng i vetos bullgare

Para nisjes së samitit, kryeministri shqiptar Edi Rama, ka folur  lidhur me veton bullgare që po pengon hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së dhe theksoi se nuk ka shpresë që çështja të zgjidhet sot.

Nga Brukseli, Rama tha se Bullgaria është një vend i NATO-së, ka marrë peng dy vende të tjera.

“Unë jua kam thënë dhe po e përsëris përkundër optimizmit të ngutur të disave dhe këtu në Bruksel nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari, por ndërkohë nëse do zgjidhet do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO-s, të dy vendeve të NATO-s, në kulmin e një lufte të nxehtë në kufijtë e Europës dhe në vështrimin e 26 vende të tjera atë romanin e famshëm të Archibald Cronin.”, u shpreh Rama.

Ndërsa Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në samitin BE-Ballkani Perëndimor, deklaroi sot se ky është një moment i rëndësishëm për të ringjallur procesin e zgjerimit në rajon dhe për të dërguar një sinjal të qartë.

“Ka diskutime të vazhdueshme me Bullgarinë dhe ne po e ndjekim situatën nga afër”, shtoi Michel, duke nënvizuar angazhimin e BE-së për të kapërcyer ngërçin e krijuar nga vetoja e Sofjes për Shkupin.

Kurse kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se nuk kishte asnjë shans që Bullgaria të hiqte veton ndaj Maqedonisë së Veriut gjatë këtij samiti të BE-së, por la të kuptohet se një zgjidhje mund të jetë e afërt në ditët në vijim.

Pas rënies së qeverisë bullgare mbrëmjen e kaluar, asnjë parti politike në Bullgari nuk dëshiron të humbasë fytyrën përpara zgjedhjeve të parakohshme. Me votën e katërt në pak më shumë se një vit që ka të ngjarë të ndodhë në shtator, heqja e vetos nuk do t’i përshtatej elektoratit, i cili kryesisht e mbështet atë.

Petkov, tani në cilësinë e ish-kryeministrit, i qëndron qëndrimit të tij se parlamenti duhet të miratojë një rezolutë që lejon heqjen e vetos, bazuar në miratimin e propozimit të Presidencës franceze. Petkov tha se i pëlqente “personalisht” propozimi francez, por nuk i takonte atij, por parlamentit të merrte një qëndrim.

Takimi i sotëm midis liderëve filloi në orën 09:30 në ndërtesën e Këshilli Europian, sipas agjendës së publikuar.

Çfarë pritet të ndodhë nesër?

Dita e dytë e samitit do të fokusohet në çështjet e eurozonës, ndërsa do të mbahet edhe një takim i nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor, ku pritet të të vendoset “fati” i negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Unioni pritej që të hapte bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në fund të vitit 2020. Por, Bullgaria ka bllokuar hapjen e bisedimeve zyrtare për shkak të një mosmarrëveshjeje me Maqedoninë e Veriut që lidhet me historinë dhe gjuhën.

Kryesore Rama Samiti i BE Shqipëria