Duket se skuadrat e mëdha në Spanjë e kanë mbyllur para kohe sezonin e tyre në La Liga, duke mos u shqetësuar shumë për sfidat e fundit të kampionatit, pasi kanë arritur objektivin që i kishin vendosur vetes.
Kampionët e Realit të Madridit janë të përqendruar vetëm te finalja e Ligës së Kampioneve dhe sot regjistruan një ndalesë në kampionat përballë Kadiz, duke barazuar me shifrat 1-1, edhe pse kishin qenë të parët në avantazh me anë të Mariano Diaz. Sobrino shënoi më pas për vendasit, të cilët e shohin veten të rrezikuar për rënien, pas këtij rezultati.
Barazim pa gola për Barcelonën ndaj Getafes, ndërsa Atletiko e Madridit u nda 1-1 me Seviljen, rezultat që gjithsesi i mjaftoi për të siguruar matematikisht praninë në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Sa i përket mbijetesës, Levante dhe Alavesh kanë rënë, ndërsa skuadra e tretë do të zgjidhet mes një grupi që fillon nga Getafe e vendit të 14, e përfundon te Kadiz i vendit të 18. Në mes është edhe Granada e Uzunit, e cila në javën e fundit luan me Espanjolin e Bares dhe i duhen medoemos tre pikët.