Aktualitet10 Maj 2019, 12:06

Mbyllet verifikimi i pasurisë për 60% të gjyqtarëve dhe prokurorëve, 478 emra në “skaner” nga ILDKP

Shkruar nga Pamfleti
Mbyllet verifikimi i pasurisë për 60% të gjyqtarëve dhe

Mbyllet verifikimi i pasurisë për 60% të gjyqtarëve dhe prokurorëve, 478 emra në “skaner” nga ILDKP

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) do të detyrojë të gjithë deputetët të deklarojnë pasuritë e tyre online brenda vitit 2021. Një gjë të tillë e bëri të ditur ditën e djeshme vetë kryetari i ILDKPKI, Shkëlqim Ganaj. Ai dha sqarime para Komisionit të Ligjeve për veprimtarinë vjetore të organit që ai drejton, duke deklaruar se momentalisht ILDKPKI ka përgatitur sistemin ku do të deklarohen pasuritë dhe gjatë këtyre dy viteve do të testohet sesi funksionon.

Kur të jenë të sigurt për mirëfunksionimin e tij, deputetët do të duhet t’i bëjnë publike pasuritë e tyre. Në këtë mënyrë ato do të jenë të aksesueshme nga të gjithë. “Deklarimi online i pasurive të deputetëve do të kryhet shumë shpejt.

Ne në prill përfunduam pjesën teknike të sistemit. Vitet në vijim do të testojmë sistemin me projekte pilote sepse është diçka teknikisht e vështirë. Duhet të kryhen edhe trajnime sepse subjektet duhet të njihen me mënyrën e funksionimit të sistemit. Në vitin 2021 kemi besimin se çdo gjë do të jetë gati”, tha Shkëlqim Ganaj. Në vijim të raportimit, Ganaj shtoi se për vitin 2018 janë vendosur 112 gjoba për zyrtarët e lartë, shkruan Sot.

“Ne kemi dhënë 112 masa me gjobë, qoftë për mosdeklarimin e interesave private, qoftë për konfliktin e interesave, qoftë për ligjin për sinjalizimet, janë të ndarë në mënyrë të barabartë. Këto masa përfshijnë të gjithë nivelin e zyrtarëve. Nuk ka zyrtar të papërfshirë aty. Sa iu takon kallëzimeve penale që ne kemi bërë në prokurori, po i ndjekim ato me vëmendje, qoftë edhe për rastet kur ka devijim apo shkelje të ligjit”, deklaroi kreu i ILDKPKI, Shkëlqim Ganaj.

Si shqetësim ai ngriti volumin e shtuar të punës së ILDKPKI, e cila duhet të asistojë edhe në procesin e vetingut në polici, përveç ndihmës që jep në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ganaj u shpreh se për vetingun në polici janë angazhuar 5 punonjës të ILDKPKI, por theksoi se edhe pse me staf më të reduktuar, puna do të jetë cilësore.

60% e gjyqtarëve dhe prokurorëve në “skaner”

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit është një organ kyç që jep ndihmesë në procesin e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Për çdo subjekt rivlerësimi ILDKPKI përgatit raporte që i dërgon pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Deri tani ILDKPKI ka kaluar në “skaner” afro 60% të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vetëm në vitin 2018 është verifikuar pasuria e 411 subjekteve, ndërsa në total janë verifikuar 478 subjekte.

“ILDKPKI, konkretisht ka përfunduar dhe dorëzuar pranë këtyre organeve, dokumentacionin e plotë, së bashku me raportet e hollësishme dhe të arsyetuara për gjyqtarët e Gjykatave te Apelit, Gjykatës së Apelit Administrativ, Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, si dhe prokurorët e prokurorive të Apelit, Prokurorisë së Apelit të Krimeve të Renda, ndihmesat dhe këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe gjykatave administrative, për periudhën janar – dhjetor 2018, në total për 411 subjekte të procesit të rivlerësimit.

Ky numër, së bashku me subjektet e përfshira në listën prioritare, të dërguar pranë këtyre institucioneve përgjatë periudhës nëntor – dhjetor 2017, shkon në total në 478 subjekte të procesit të rivlerësimit”, thuhet në raportin vjetor të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.

Aktualitet Gjyqtare prokurorë verifikimi i pasurise