Ish-Prokurori Gentian Trenova, i shkarkuar nga dy shkallët e Vetingut për mashtrim me pasurinë dhe mbylljen e dosjeve të drogës dhe aferave, kryeson shoqatën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar që sulmon Vetingun dhe ONM
Gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar për pasuri të paligjshme, kanë krijuar një shoqatë me emrin Drejtësi për Drejtësinë, ndërsa kanë nisur sulmet ndaj organeve të Vetingut dhe përfaqësuesve të SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të Vetingut. Kjo shoqatë e paprecedentë drejtohet nga ish-Prokurori Gentian Trenova, i shkarkuar gjithashtu nga detyra për pasuri të paligjshme, pra si i korruptuar. Trenova është shkarkuar për kontrata të rreme, veprime fiktive dhe fshehje pasurie, ndërsa largimi i tij nga drejtësia u vulos përfundimisht nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Trenova ka deklaruar një apartament në vitin 2007. Fillimisht ka pohuar se apartamentin ia kanë bërë dhuratë prindërit. Më pas ka deklaruar se e ka blerë 19 milionë lekë të vjetra.
Por, Komisioni i Vetingut ka zbuluar një kontratë me vlerë 40 mijë euro për blerjen e këtij apartamenti, duke konfirmuar mashtrimin e ish-prokurorit Trenova me pasurinë. Trenova nuk justifikon as shpenzimet për mobilimin e apartamentit, ka fshehur një shtesë ndërtimore, ka lidhur kontrata fiktive etj. Jo vetëm kaq, por Trenova ka ngelur edhe në testin e aftësive profesionale dhe etikës, pasi ka mbyllur dosje të trafikut të drogës dhe korrupsionit. Trenova ka mbyllur dosjen e një personi të arrestuar në flagrancë duke trafikuar 170 kg lëndë narkotike drejt Greqisë. Një tjetër dosje e konstatuar me probleme nga KPK, ishte mbyllja e hetimeve për një procedim të nisur kryesisht për një prokuror të akuzuar për korrupsion.
Në të dy rastet dhe në raste të tjera, Trenova ka abuzuar me detyrën dhe ka mbyllur dosjet për arsye që kuptohen lehtësisht. Në dosjet e kontrolluara, Gentian Trenova nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për të cilin kishte zgjatur më parë afatin e hetimit në secilën dosje, nuk ka bërë hetim të thelluar për të siguruar prova, nuk ka bërë asnjë analizë për të zbardhur të vërtetën; si dhe është shmangur nga funksioni i një prokurori të pavarur në përmbushje të detyrës funksionale të tij. Ky personazh thellësisht i njollosur dhe i kompromentuar sipas dosjes së Vetingut, drejton shoqatën ‘Drejtësi për Drejtësinë’, e cila po lufton në një linjë me Ilir Metën, kundër reformës në drejtësi dhe rrjedhimisht edhe SHBA-BE. / Pamfleti