Politike24 Mars 2022, 19:50

Me 27 vota pro dhe 74 kundër, PS rrëzon projekt-rezolutën e PD-së për çmimet

Shkruar nga Pamfleti
Me 27 vota pro dhe 74 kundër, PS rrëzon projekt-rezolutën e

Me 27 vota pro dhe 74 kundër, PS rrëzon projekt-rezolutën e PD-së për çmimet

Partia Socialiste ka ‘hedhur poshtë’ projekt-rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike për përballimin e rritjes së përgjithshme të çmimeve.

Mësohet se me 27 vota pro, 74 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka rrëzuar projekt-rezolutën e propozuar nga opozita.

Projekt-rezoluta drejtuar Kuvendit:

Duke konsideruar rritjen e përgjithshme të cmimeve, ku vetëm gjatë muajit Shkurt çmimet në përgjithësi janë rritur me 3.9%, e vecanërisht çmimet e produkteve të shportës bazë të konsumit janë rritur me 6.9%;

Duke marrë parasysh rritjen e ndjeshme të cmimeve të karburantit, e cila ka prodhuar rritjen me 10.4% të çmimeve të transportit, dhe me efekt domino passjell rritjen e të gjitha çmimeve të tjera;

Duke konstatuar se masat e shpallura nga qeveria janë krejtësisht të pamjaftueshme për situatën në të cilën ndodhen familjet dhe bizneset shqiptare, si dhe faktin se masat janë pjesë e programit të qeverisë, dhe jo të diktuara nga situata aktuale;

Duke vlerësuar të drejta kërkesat e shpallura nga përfaqësues të shoqërisë civile, të biznesit, të fermerëve, të artikuluara gjatë protestave të ditëve të fundit;

Duke iu bashkuar shqetësimit të qytetarëve dhe biznesit për pasiguritë e krijuara për të ardhmen, ekonominë, punësimin dhe mirëqënien familjare;

Kërkojmë:

Uljen në 6% të TVSH për mallrat e shportës bazë, propozim konsistent i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike;

Pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe kthimin e saj në nivelet e 8 viteve më parë, në masën 7 lekë për litër nga 27 lekë/litër aktualisht, duke eleminuar taksën Rama mbi karburantin;

Shkurtimin e menjëhershëm të shpenzimeve operative të qeverisjes qëndrore me të paktën 25% të buxhetit të planifikuar për këtë zë për vitin buxhetor 2022;

Dyfishimin e menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë dhe jo thjesht trajtimin financiar të tyre për një periudhë afatshkurtër 3-mujore;

Rritjen e menjëhershme të pensioneve me dyfishin e indeksimit të parashikuar nga vetë qeveria, duke filluar nga 1 Prill 2022;

Rritjen e pagës minimale në masën 36,000 (tridhjetë e gjashtë mijë) lekë në muaj duke filluar nga 1 Prill 2022;

Pezullimin e menjëhershëm të pagesave buxhetore për PPP-të dhe koncesionet, vecanërisht ato të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprimtari korruptive;

Rritjen e subvencionimit ndaj fermerëve në masën 100 milion euro/vit me qëllim rritjen e prodhimit dhe uljen e kostove të tyre, për t’i bërë produktet shqiptare konkurruese në rajon;

Kryerjen e një hetimi të thelluar dhe gjithëpërfshirës nga Autoriteti i Konkurrencës, si dhe marrjen e masave urgjente në përputhje me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”;

Raportimin nga Autoriteti i Konkurrencës përpara Kuvendit të Shqipërisë brenda një afati 30-ditor nga data e miratimit të kësaj rezolute, lidhur me konkluzionet e hetimit, masat e marra dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Politike Kriza ekonomike Parlamenti PD projekt-rezoluta per çmimet