A kanë mendjen e Edi Ramës edhe qeveritë e vendeve të tjera, për të lejuar që shqiptarët apo shtetasit e tyre me shtetësi shqiptare, të kalojnë pa filtër nga 2 milionë Euro në kufi e nëpërmjet bankave, ose t’u njihen si ligjshme pasuritë e paluajtshme ilegale, veprat e artit dhe sendet me vlerë që kanë në ato shtete
Në konferencën e shtypit të ditës së premte, Edi Rama foli për amnistinë fiskale, duke thënë me zë të mekur, se nuk do tërhiqet, mbasi sipas tij, këtë e ka vendosur populli me “këshillim kombëtar”; por në fakt, pas reagimit të mediave, FMN, Këshillit të Europës, Dhomës Amerikane të Tregtisë e Bankës Botërore, Edi Rama ka urdhëruar ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, të fshijë nga faqja zyrtare, debatin për projekt-ligjin e aministisë fiskale.
Siç duket, Ramën e kanë “ftilluar” shefat e SHBA- BE gjatë samitit të NATO-s, duke i bërë të qartë, se kjo lloj amnistie është në favor të qeveritarëve të korruptuar dhe personave e grupeve kriminale me aktivitet brenda e jashtë vendit, të cilët janë maskuar si biznesmenë.
Sepse është jo vetëm çmenduri, por dhe qesharake, që qeveria e Shqipërisë të bëjë ligj për të quajtur të ligjshme, deri 2 milionë Euro pasuri të paluajtshme e thasë me miliona, që kanë “nën dyshekë” shqiptarët jashtë kufijve, të huajt me shtetësi shqiptare e ata me biznese në Shqipëri.
Neni 5 favorizon të gjithë shtetasit shqiptarë, pavarësisht nëse janë rezidentë tatimorë ose jo në Shqipëri, dhe të huajt që janë tatim-pagues e rezidentë në territorin e Shqipërisë.
Psh., me këtë nen, shtetas turq, serbë, rusë, italianë, kosovarë, maqedonas, bullgarë, rumunë, indianë etj., të cilët janë apo jo me shtetësi shqiptare, por janë të regjistruar si biznesmenë në Shqipëri, lejohen të pastrojnë deri 2 milionë Euro, pa deklaruar se ku, kur dhe si i kanë fituar.
Neni 9, lejon shtetasit shqiptarë e të huaj rezidentë apo jo në Shqipëri, të deklarojnë pasuritë ilegale që kanë jashtë territorit tonë, kur atje ata janë në shtete të tjera, të cilët nuk mund të urdhërohen nga Edi Rama dhe parlamenti shqiptar, për t’i hapur rrugë trafikut të miliardave të krimit.
Për interesat e Edi Ramës dhe klanit të tij qeveritar, oligarkik e kriminal, amnistia nuk përbën rrezik, ndërsa për qeveritë dhe drejtësitë në vendet perëndimore, është “pastrim parash të zeza”.
Me këtë amnisti përfitojnë trafikantët shqiptarë si p.sh., vëllai i ish-prokurorit Petrit Fusha, vëllai i Fatmir Xhafajt ende në burg në Itali e Spanjë, por dhe bosi i “Bana King” Trifon Murataj etj., të cilët kanë prona pa letra e thasë me miliona “nën dyshek”.
Përfitues nga kjo amnisti, do jenë dhe kryeministra, ministra, deputetë, kryebashkiakë.e drejtorë, të këtyre 30 viteve, të cilët kanë nxjerrë jashtë Shqipërisë miliarda lekë të vjedhura, ndërsa tani do t’i fusin si gjoja “kursime të pastra” nga 2 milionë Euro, qofshin dhe të një familjeje.
Me nenet nr. 5 e nr. 9 të amnistisë, përfitojnë dhe trafikantë rusë, turq, serbë, indianë, kinezë e kosovarë, që u ka dhënë shtetësinë Topi, i ndjeri Nishani e Meta; ndërsa po Ilir Meta, Fatos Nano, Pandeli Majko, Sali Berisha e Edi Rama, kryeministrat e 24 viteve të fundit, u kanë dhënë licenca e koncesione kromi, bakri, nafte, pyjesh, plazhesh, universitetesh, resortesh, HEC-esh etj.
Madje mafizoi Antonio Gallo, Niku e 9 bosë të grupit mafioz “Ndraghet’a”, përfitojnë pastrimin e nga 2 milionë Euro që kanë në Itali, Shqipëri, Qipro, Angli, Austri, Gjermani etj., sepse sipas amnistisë së Edi Ramës kanë shtetësi shqiptare e janë të regjistruar si biznese në vendin tonë.
Vetëm një pyetje duhet bërë për këtë projekt-ligj: – A kanë mendjen e Edi Ramës edhe qeveritë e vendeve të tjera, për të lejuar që emigrantët shqiptarë apo shtetasit e tyre me shtetësi shqiptare, të kalojnë pa filtër nga 2 milionë Euro në kufi, nëpërmjet bankave, ose t’u njihen si të ligjshme pasuritë e paluajtshme ilegale, veprat e artit dhe sendet me vlerë që kanë në ato shtete?!/Pamfleti