Klika mafioze e buxhetit/ Kryeministri Rama, ka urdhëruar që shpenzimet të mos bëhen me tendera, por pa garë e me përzgjedhje firmash nga qeveria; ndërsa ministri Ahmetaj, ka urdhëruar ministrat, të mos publikohen as sasitë e blera dhe as fondet limit
Në 5 muajt e fundit, Shqipëria po përballet me dy fatkeqësi natyrore: Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe “COVID”, i shpallur zyrtarisht më 9 mars 2020; të cilat kanë krijuar vështirësi sociale-ekonomike e jetike për popullatën, dhe hall financiar për qeverinë.
Të dyja fatkeqësitë, përveç humbjes së jetëve, kanë shkaktuar dhe dëme ekonomike; tërmeti për shkak të korrupsionit e krimit ndërtimor, ndërsa epidemia, prej izolimit dhe ndalimit të punës.
Prapa këtyre dy fatkeqësie, banda qeveritare dhe hajdutët e tyre brenda e jashtë zyrave, “kanë fërkuar duart”, sepse në këtë “mjegull” kanë mundësi të plota e të lira me ligj; për të “futur duart” në fondet publike, sipas skemës: “Harxho 1 e fito 10”.
Këto, janë një “togë” biznesesh klinteliste, të lidhur me “Sarajin e Surrelit”; të cilët, kryeministri Rama dhe “Mon Kukaleshi” Ahmetaj, i kanë bërë pjesë të paketave financiare, që shteti po paguan për emergjencat.
Janë vetëm 4 biznese mjekësore, 2 biznese ushqimore e 5 biznese ndërtimore, që po përlajnë miliardat e luftës së COVID dhe Rindërtimit të pasojave të tërmetit.
Pagesat po bëhen në kundërshtim me ligjin për “Buxhetin e emergjencave”, mbasi nuk po akordohen me vendim parlamenti, por me urdhër personal të kryeministrit.
“Rroftë sebepi”, që ra tërmeti e kjameti “COVID”; dhe kryeministri nisi lojën e akordimit të fondeve me “Akte normative” si dekrete perandorake të para 300 viteve, duke caktuar vetë vlerat e çdo procesi dhe bizneset private përfituese.
Fondet 230 milionë euro për rindërtimin e banesave, i kanë marrë 5 firma projektuese-ndërtuese, 3 nga të cilët janë ish-drejtorë dhe drejtorë aktual qeverie; në njerën prej të cilave, është “eksperte” vajza e zonjës kryeministrore.
Fondi 25 milionë Euro, për emergjencën blerje e shërbime mjekësore anti-“COVID”; është marrë deri tani e po merret, vetëm nga 4 biznese mjekësore, të kryesuar nga Sokol Topçiu e Hervin Fora, të cilët kanë monopolin për të blerë edhe maskat për OSHEE, Kuvendin e Policinë.
Fondi 10 milionë euro i caktuar për ushqimet; i është besuar një firme maqedonase e një firme “Catering” me monopol 90% në Shqipëri; që këto kohë krize po vepron me 2 firmat “bija”, të cilët “raportojnë” vetëm tek Arben Ahmetaj.
Vlerat e çdo blerjeje për epideminë dhe vlera e çdo projekti për rindërtimin; po bëhet me “bllok pagese lufte”, pa kosto e çmim njësie tregu dhe pa tender; duke vepruar vetëm me përgjedhje firmash nga ministrat e të miratuara nga “Beu i Surrelit”.
Nuk e dimë me çfarë “pune” është i zënë këto ditë prokurori Çela; po nuk po urdhëron nisjen e një hetimi, për këtë batërdi të hapur vjedhjesh të fondeve publike.
Ndërkohë, ka nisur hetime speciale, për 48 persona që kanë dalë pa leje nga banesa, që kanë qarkulluar me makina, ose janë kapur duke pirë kafe ilegalisht në korridoret e pallateve./Pamfleti