Aktualitet10 Maj 2019, 14:17

Me zë të dridhur e lot në sy, gjeneral Kollçaku fjalë të ndjera familjarëve për Zarifen: Do na mungojë të gjithëve!

Shkruar nga Pamfleti
Me zë të dridhur e lot në sy, gjeneral Kollçaku fjalë

Në zërin që i dridhej dhe shfaqte emocionet dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta të nëntetares Zarife Hasanaj, gjenerali Bardhyl Kollçaku i dha lamtumirën ushtarakes së rënë në krye të detyrës.

“Zarifja, bija juaj, shoqja jonë, bija e Tropojës, bija e Shqipërisë, heroina e ushtrisë, po shkon në altarin e pavdekësisë, në gjirin e nënës së madhe Shqipëri. Dëshmorët shkojnë në vendin e shenjtë, aty ku prehen të përjetshmit e pavdekshëm”, tha Gjenerali.

Fjalë prekëse ishin edhe ato kur ju gjenerali ju drejtua në mënyrë simbolike Zarifes, për të treguar njerëzit e shumtë që ishin sot në ceremoninë e homazheve mbajtur në nder të saj në Pallatin e Brigadave.

“Kanë ardhur për të të përcjellë shokët dhe kolegët e tu. Ata që Ti i doje dhe të donin kaq shumë. Ata që nuk të zëvendësojnë dot; ata që nuk të harrojnë dot! Është me Ty sot gjithë familja e madhe ushtarake e Forcës së Armatosur, që Ti e nderove me jetën tënde. Janë këtu për Ty sot kolegët e Tu të misionit të NATOs, ku Ti me punën, forcën dhe natyrën tënde, u bëre aq e afërt, aq e pandashme. Ata janë këtu, me zemër, shpirt dhe mëndje, përmes kaq shumë ngushëllimeve të ndjera që kanë ardhur dhe vijnë nga gjithë Aleanca”, u shpreh ai.

I shprehu mbështetjen që nuk do t’i mungojë kurrë, familjes së Zarifes.

“Të dashur familjarë të Zarifes,

Asnjëherë, për askënd dhe kurdoqoftë, nuk do të jetë e lehtë të përballoj dhimbjen e thellë dhe humbjen e pazëvendësueshme që po le pas ikja e papritur e Xipes tuaj dhe e Zarifes tonë. Por ju nuk jeni dhe nuk do të jeni vetëm. Ju jeni pjesë e familjes së madhe ushtarake. Humbja dhe dhimbja janë të përbashkëta; ato janë tonat.

Edhe detyrimet janë të përbashkëta; ato janë edhe tonat. Ne ndjejmë detyrimin të jemi me Ju, të jemi pranë Jushë, të jemi bashkë! Ju keni shprehur ndjenja të mëdha! Ju na keni dhënë forcë! Në emër të Forcave të Armatosura, falenderimin, mirënjohjen dhe respektin më të pakufishëm dhe më të sinqertë për kurajon dhe mbështetjen Tuaj!”, tha Kollçaku.

“Ne kemi shumë për të folur, por shumë vështirë për t’i thënë ato që ndjen dhe do të thuash. Humbëm një ushtare krenare, kreshnike, të bukur, fisnike. Zarifja do na mungojë! Por ne, kolegët e saj, vajzat dhe djemtë, burrat dhe gratë e Forcës së Armatosur ndjejmë zërin e saj që na fletë: Zemrat lart! Kokën lart! Për detyrën, për nderin e Shqipërisë, për dinjitetin e kombit, ne kemi bërë betim mbi jetën tonë dhe me jetën tonë. Dhe ne e mbajmë besën. Ne e mbajmë betimin.

Ne do ta ndjekim amanetin e Zarifes tonë. Ne do vazhdojmë të jemi në vijën e parë të Aleancës, ku na ka lënë me lavdi dhe krenari, vendin e nderit, Zarifja, ku është nderi i Shqipërisë!Lamtumirë Zarifja jonë, lamtumirë motra jonë, lamtumirë heroina e paharruar e Forcave të Armatosura!”, përmbylli shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Aktualitet Bardhyl Kollçaku zarife hasanaj