
Zbardhen detaje të reja saj takon arrestimit në Itali të Agim Kajmakut. Ky i fundit u kap me 20 kilogram kokainë, ndërsa këtë herë janë mediat italiane ato që kanë dhënë detaje.
“Il Resto del Carlino”, shkruan se Kajmaku bashkë me nipin e tij dhe dy të tjerë kanë dalë para gjykatës më 27 maj, në orën 10.30. Gjykata e Femros i ka lënë ata në burg, ndërsa janë përfaqësuar nga avokati Vittorio Supino.
“Për masën e sigurisë gjyqtari zgjodhi atë më të rëndën, burgun, duke pasur parasysh ashpërsinë dhe sasinë e drogës së sekuestruar. Jemi në pritje të arsyeve e të vlerësimeve”, ka thënë avokati.
Sipas mediave italiane Kajmaku bashkë me nipin përdornin një Volkswagen Polo nga një kompani vendase për të udhëtuar, kishin bërë një inspektim në fidanishte për dy ditë rresht dhe kishin zgjedhur një numër bimësh të vogla, të cilave kërkonin t’u ndryshonin vazot duke i vendosur më të mëdha. Një punonjëse e fidanishtes kishte vënë re edhe shenja të lëna në sipërfaqen e dheut.
Duke ngritur dyshime dhe nga frika se do i hapeshin telashe, ai lajmëroi karabinierët. Ndërkohë jashtë fidanishtes ishte dhe një furgon mallrash që priste të merrte vazot me lule. Në të ndodheshin dy shqiptarë të tjerë.
Policia i kapi në flagrancë, ndërkohë që nga kontrollet që u bënë në banesat e tyre nuk u gjet asgjë e paligjshme. Sipas mediave italiane, nuk dihet fiks destinacioni i drogës. Por sipas tyre, Kajmaku dhe nipi i tij ishin përgatitur për një fluturim me avion nga Ankona në Shqipëri.
Ndërkohë mësohet se autoritet italiane kanë vënë në dijeni dhe autoritetet shqiptare. Ato kanë kërkuar informacion për të gjithë të arrestuarit, ndërsa dyshimet janë se mund të kemi të bëjmë me një rrjet më të gjerë që operon në Shqipëri dhe në Itali e për këtë arsye po bëhen verifikime dhe në vendin tonë. Pritet se cili do të jetë vendimi final i gjykatës italiane, ndërkohë që pritet të ketë dhe një verifikim pasuror për Kajmakun. Dyshimet janë se kokaina është transportuar nga Shqipëria në Itali dhe aty më pas përmes vazove me lule do të shpërndahej në zona të tjera. /Pamfleti