Një natë më parë, në një emision televiziv, Vuçiç ka hedhur hijen e rëndë të luftës.
Për mediat serbe, takimi i radhës ndërmjet Aleksander Vuçiçit dhe Albin Kurtit në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Josep Borrell, ka qenë një dramë.
Gazeta më e madhe e vendit ‘Blic’, thekson se “na u ofrua një marrëveshje poshtëruese, të cilën Vuçiç e refuzoi me forcë”.
Nuk dihet se për ç’marrëveshje bëhet fjalë, por siç bën të ditur Radiotelevizioni i Serbisë, BE ka kërkuar që të respektohen të gjitha marrëveshjet që Kosova me Serbinë kanë firmosur në vite, nuk mund të kthehet në pikën zero. Duke përfshirë këtu edhe atë për targat, për të cilën maksimumi i tolerancës është ofruar një moratorium i shkurtër.
“Sipas të gjitha gjasave, na presin ditë të vështira dhe të pasigurta, sidomos në Veri të Kosovës”, shkruan ‘Blic’, pa e specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.
Gazeta e Beogradit thekson më tej, se Vuçiç sonte në darkë do t’u drejtohet qytetarëve, për të shpjeguar presionin mbi të cilin ndodhet Serbia.
Josep Borrell, shefi i diplomacisë së BE-së dhe Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE-së për dialogun, fillimisht u takuan me Kurtin, pastaj me Vuçiçin.
Në njoftimin për shtyp të shërbimit të jashtëm të BE-së, theksohet se “Fokusi i takimeve është gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni në terren, me theks në çështjen e targave”.
Një natë më parë, në një emision televiziv, Vuçiç ka hedhur hijen e rëndë të luftës.
“Nuk ka dyshim se situata është më e vështirë se në dhjetë vitet e fundit. Kur shkuam në Berlin, bëmë tri marrëveshje të rëndësishme. Kurti e shfrytëzoi atë ditë në Berlin për të shpallur tri kleçka. Pikërisht këto tre gjëra bënë që serbët të largoheshin nga institucionet. Ai tha se Asocacioni nuk do të formohej, shpalli fazat për targat, e fundit nga të cilat ishte konfiskimi i automjeteve, dhe mesazhi i tretë ishte për shkarkimin e Nenad Gjuriqit, komandantit serb për policinë në Veri.
Kurti nuk ka të drejtë ta zëvendësojë, as nuk e vë në dyshim emërimin e tij. Atëherë serbët e kuptuan se nuk do të kishte marrëveshje me atë njeri”, tha Vuçiç.
Një natë më parë, ai mbajti një takim në një kazermë ushtarake, ku bëri të ditur se ushtria duhet të jetë gati.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha se ushtria serbe është e aftë dhe e gatshme për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave, duke mbrojtur serbët në Kosovë.
“Sigurisht që askush nuk dëshiron luftë, por Serbia është një vend serioz dhe i ndërmerr të gjitha hapat që të jetë në gjendje t’i përgjigjet çdo sfide dhe problemi të mundshëm”, ka thënë Vuçeviç për gazetën ‘Telegraf’, një ditë para se në Kosovë të hyjë faza e dytë për targat, ajo e gjobave./Pamfleti