
Nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus dhe aleat i ngushtë i Putinit, Dmitry Medvedev ka kërcënuar sërish me luftë bërthamore. Medvedev tha se fuqitë bërthamore nuk humbasin konfliktet e mëdha nga të cilat varet fati i tyre dhe se kjo duhet të jetë e qartë për çdo politikan perëndimor.
Ai iu referua deklaratave në forumin e Davos se “Rusia duhet të mposhtet”.
Me postimin e tij, Medvedev tregon se ajo çfarë po ndodh në Ukrainë nuk është vetëm një “operacion special ushtarak” i thjeshtë i Rusisë në Ukrainë, por një luftë konvencionale nga e cila varet vetë fati i vendit të tij.
“Nesër, në bazën e NATO-s në Ramstein, liderët e mëdhenj ushtarakë do të diskutojnë taktika dhe strategji të reja, si dhe furnizimin e Ukrainës me armë të reja të rënda dhe sisteme sulmi. Dhe kjo ndodhi menjëherë pas forumit të Davosit, ku patronët e partive politike të pazhvilluara përsëritën si një mantra: Për të fituar paqen, Rusia duhet të humbasë. Dhe asnjë prej tyre nuk i shkon mendja të nxjerrë përfundimin elementar vijues: humbjen e një fuqi bërthamore në një luftë konvencionale mund të çojë në shpërthimin e një lufte bërthamore. Fuqitë bërthamore nuk i kanë humbur konfliktet e mëdha nga të cilat varet fati i tyre. Por kjo duhet të jetë e qartë për këdo. Edhe ndaj një politikani perëndimor që ka ruajtur të paktën një gjurmë inteligjence”, shkruan Medvedev.