Aktualitet28 Janar 2022, 10:57

Megaoperacioni antidrogë në Dibër dhe Mat/ 14 të arrestuar, anëtarët e dy fiseve; mes tyre edhe kryeplaku i fshatit

Shkruar nga Pamfleti
Megaoperacioni antidrogë në Dibër dhe Mat/ 14 të arrestuar,

Megaoperacioni antidrogë në Dibër dhe Mat/ 14 të arrestuar, anëtarët e dy fiseve; mes tyre edhe kryeplaku i fshatit

Policia e Dibrës ka arritur të zbulojë një grup të strukturuar kriminal të cilët merreshin me trafikun e drogës. Grupi kriminal organizonte nga mbjellja e bimëve të kanabisit, përpunimi dhe më pas shitja e tij në treg.

Vetë kryetari i fshatit Lam i Madh, Gëzim Koleci ishte në organizatori i kësaj veprimtarie ndërkohë që në grupin  e tij ishin njerëz që kishin lidhje farefisnore apo ishin nga i njëjti fshat. Ky grup ka funksionuar nga 2019 – 2021.

Në pranga kanë rënë 14 persona ndërsa një tjetër është në kërkim. Operacioni u kodua “Kepi i Vozajve”

Policia bëri me dije se është arritur të provohet bashkëpunimi i këtyre shtetaseve për veprimtarinë e kultivimit të lëndëve narkotike gjatë 2019-2021. Këta shtetas në zonë malore Lam i Madh kanë kultivuar një sasi bimësh narkotike. Në datë në 5.9. 2020 janë sekuestruar 61 bimë, ndërsa 3633 bimë janë konstatuar në proces tharje.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet me sukses mega-operacioni antidrogë i koduar “KEPI I VOZAJVE”.Operacioni i zhvilluar nga DVP Dibër,  Komisariati i Policisë Mat, Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, DVP Tiranë, DVP Durrës,  FNSH Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë Mat.

Goditet dhe shkatërrohet grupi kriminal që merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Vihen në pranga 14 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër. Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, zbardhjen e rasteve të kultivimit dhe të tentativave për kultivim të bimëve narkotike të ndodhura më parë në territorin e Bashkisë Mat,  nga strukturat e Hetimit të Krimeve në DVP Dibër, dhe të  Komisariatit të Policisë Mat,  në koordinimin e Drejtorisë Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit si dhe në bashkëpunim me DVP Tiranë, DVP Durrës e FNSH Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë Mat, në funksion të procedimit penal nr 134, viti 2019, u zhvillua dhe u finalizua me sukses megaoperacioni policor i koduar “KEPI I VOZAJVE”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi dhe ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest me Burg”, për shtetasit:

Gëzim Koleci, 55 vjeç, banues në fshatin Lam i Madh, Njësia Administrative Derjan, Mat

Mehmet Koleci, 45 vjeç, lindur në fshatin Lam i Madh, banues në Paskuqan, Tiranë.

Idajet Koleci, 43 vjeç,  lindur në fshatin Lam i Madh, banues në Paskuqan, Tiranë.

Albert Koleci, 40 vjeç,  banues në fshatin Lam i Madh.

Vilson Koleci, 30 vjeç, lindur në fshatin Lam i Madh, banues në Paskuqan, Tiranë.

Gestian Koleci., 26 vjeç, banues në fshatin Lam i Madh.

Lezan Koleci, 62 vjeç, lindur në fshatin Lami i Madh, banues në Laprakë, Tiranë.

Agim Koleci, 29 vjeç,  lindur në fshatin Lami i Madh, banues në Kamëz, Tiranë.

Besmir Koleci, 36 vjeç, lindur në fshatin Derjan, banues në Kamëz, Tiranë.

Afrim Haspepa, 48 vjeç, lindur në fshatin Lam i Madh, banues në Kamëz, Tiranë.

Fatjon Doda, 36 vjeç, lindur në fshatin Macukull, banues në Njësia Bashkiake Nr.5, Tiranë.

Rasim Xheçuka, 52 vjeç, lindur në fshatin Lam i Madh, banues në Kamëz, Tiranë.

Gazmir Xheçuka, 39 vjeç, lindur në fshatin Lam i Madh, banues në Kamëz, Tiranë.

Dhe është shpallur në kërkim policor shtetasi Baftjar Xheçuka, 54 vjeç, lindur në fshatin Lam i Madh, banues në Kamëz, Tiranë.

Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat,  për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” të kryera në bashkëpunim, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municioneve”,

Në funksion të këtij procedimi të ndjekur me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Mat, është arritur të provohet me prova dhe fakte bashkëpunimi i këtyre shtetasve, që funksiononin në formën e një grupi të mirëorganizuar, në kryerjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotikëve në 5 episode, përgjatë periudhës kohore 2019 – 2021, ku këta shtetas në zonën malore Lam i Madh, njësia Administrative Derjan, Mat, kanë kultivuar në kohë dhe vende të ndryshme një sasi bimësh narkotike.

Dhe konkretisht, janë identifikuar e asgjësuar nga policia këto raste:
Më datë 27.09.2019, janë konstatuar gjithësej 89 bimë.

Më datë 01.10.2019, janë konstatuar gjithësej 95 bimë.

Më datë 04.09.2020, janë konstatuar gjithësej 99 bimë.

Më datë 15.09.2020, janë konstatuar gjithësej 61 bimë.

Më datë 17.09.2020, janë konstatuar gjithësej 188 bimë, si dhe janë konstatuar 3633 bimë në proces tharje.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se organizotar i kësaj veprimtarie është shtetasi Gëzim Koleci,  i cili ka mbajtur dhe detyrën e kryetarit të fshatit Lam i Madh ku nëpërmjet personave të lartëpërmendur, me të cilët ka lidhje familjare dhe fisnore,  organizonte punën për kultivimin e lëndëve narkotike, përpunimin e saj dhe më pas gjetjen e tregut për shitje, të cilën e siguronte nëpërmjet djemve të tij shtetasve Vilson dhe Gestian Koleci, të identifikuar edhe si transportues të saj, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë ka vendosur më parë masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, pasi po në funksion të këtij procedimi këta shtetas më datë 22.03.2021 në aksin rrugor Fushë Krujë – Laç, ju është sekuestruar sasia prej 6.8 kg lëndë narkotike marijuanë.

Gjithashtu po në funksion të këtij procedimi janë sekuestruar një armë zjarri automatik, një armë gjahu teke pa leje përkatëse dhe municion luftarak. Si dhe janë sekuestruar 13 telefona celular që përdoreshin nga shtetasit e lartëpërmendur. Nën drejtimin e Prokurorisë nga strukturat hetimore të DVP Dibër e Komisariatit të Policisë Mat vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar.

Aktualitet antidrogë Arrestohen Diber Mat megaoperacion