
Gazetarja Fatjona Mejdini ka deklaruar në emisionin “Opinion” se Alda Klosi ka qenë Drejtoreshë e Konçensioneve në ministrinë e Financave të drejtuar nga Arben Ahmetaj dhe më pas ka punuar se drejtoreshë kabineti në ministrinë e rindërtimit.
Mejdini tha se Klosi ka qenë pranë Ahmetajt edhe në deklarimet që ky i fundit ka bërë para komisionit të inceneratorëve.
“Zonja ka qenë drejtoreshë e koncensioneve në ministri, nga burime të njerëzve që kanë punuar me të. Zonja është paraqitur në komisionin e inceneratorëve me Ahmetaj. Zonja i ka qëndruar në krah me dokumentacionin”, tha Mejdini.
E në fakt një video që është publikuar atë periudhe e vërteton. Alda Klosi shfaqet e veshur në të zeza në majtë të ministrit Ahmetaj, pas tij në komision.
Alda Klosit iu vodhën 120 mijë euro dhe florinj në shtëpi nga pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi.
Por kjo vjedhje ka shërbyer si një shkëndijë për një tjetër çështje. Atë të burimit të parave të vjedhura. Në dëshminë e saj për mediat, Klosi thotë se paratë i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait ndërsa për to nuk ka asnjë faturë.