Kosova 4 Gusht 2022, 10:02

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Mërgata vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë. Që nga shpallja e pavarësisë, dërgesat e tyre kanë vazhduar të shënojnë rritje.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Botërore tregojnë se brenda kësaj periudhe janë dërguar 13.3 miliardë euro, shkruan Telegrafi.

Ku pavarësisht pandemisë COVID-19, mërgata jonë gjatë vitit 2020 kishte dërguar rreth 1 miliard euro.

Gjatë vitit 2021, diaspora ka dërguar 1 miliard e 143 milionë euro. Pavarësisht masave të pandemisë COVID-19, vlera e sjellë në vendin tonë është 163.9 milionë euro më shumë se viti 2020.

Në pesë muajt e parë të vitit 2022 janë dërguar 445.4 milionë euro ku vlera më e madhe ishte në prill prej 108.1 milionë euro.

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, 278 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale dhe kanaleve alternative.

Ndërsa, sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga Gjermania kanë ardhur 40 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 18.5 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 8 për qind.

BB thekson se pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind.

Shuma e remitencave të dërguara sipas viteve në Kosovë:

Dërgesat e mërgatës që nga pavarësia e Kosovës | Burimi: Banka Botërore

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.

Prishtine

Kosova