Bota 2 Maj 2019, 15:25

Merkel reagon për ekstremizmin islamik: Shtetet europiane të ndalojnë terrorizmin xhihadist

Shkruar nga Pamfleti

Merkel reagon për ekstremizmin islamik: Shtetet europiane të ndalojnë terrorizmin xhihadist

Kancelarja Angela Merkel, në vizitën e saj në shtetet e G5 të rajonit Sahel,ka kërkuar që shtetet europiane të bëjnë pjesën e tyre për të ndalur terrorizmin xhihadist. Gjermania është zotuar që të zgjidhë problemet e varfërisë dhe konfliktet luftarake në Afrikë në mënyrë që ato të mos përcillen në Europë.

Në nisje të vizitës treditore të planifikuar në kontinetin afrikan, shefja e qeverisë njoftoi se dhjetëra milionë euro do të shpërndahen për projekte zhvillimore dhe për trajnimin e forcave lokale të kundërterrorit.

Merkel: “Kërcënimi terrorist është rritur në mënyrë të qartë dhe urgjente, aq sa në lindje dhe në veri të vendit kemi fëmijë të cilët nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të frikës. Në Europë duhet të lëvizim më shpejt për ta luftuar terrorizmin, por kjo mbetet një sfidë e përbashkët.”

Rajoni i Sahelit ku përfshihen shtetet e Burkina-Fasosë, Malit, Nigerit, Çadit dhe Mauritanisë, prej vitesh po përballet me sulme të njëpasnjëshme xhihadiste.

Në vitin 2014, Bashkimi Europian ndihmoi krijimin e një njësie kundërterroriste prej 5 mijë pjesëtarësh, por efikasiteti ka qenë i ulët.

Takimi mes kancelares gjermane dhe shteteve afrikane vjen tri ditë pasi udhëheqësi i ISIS u shfaq në video duke premtuar se celulat e kalifatit xhihadist kishin qenë përgjegjëse për një numër sulmesh në Afrikën Perëndimore, në Lindjen e Mesme dhe së fundmi edhe Sri-Lankë.

Autoritetet srilankase, ndërkohë, kanë publikuar emrat e plotë të militantëve kamikazëve që u flijuan dy javë më parë në kishat dhe hotelet e vendit, duke vrarë të paktën 253 vendës dhe të huaj.

Forcat e sigurisë në të gjithë vendin janë udhëzuar që të qëndrojnë në gatishmëri pasi rreziku i akteve të tjera ekstremiste mbetet i lartë pak ditë përpara nisjes së muajit të Ramazanit.

codramol
smile

Bota ekstradimi islamik Merkel terrorizmi