Milani është zyrtarisht kampione e Italisë. Kuqezinjtë rikthehen te titulli pas 11 vitesh pritje (19 trofe kampionati në total) dhe zbresin nga froni Interin.
Skuadrës kuqezi i mjaftonte edhe një barazim për të siguruar trofeun, pasi kishte një avantazh prej dy pikësh ndaj Interit dhe epërsinë në duelet direkte. Por skuadra e Piolit hyri në fushë me objektivin e qartë të kërkimit të një fitoreje dhe me Leaon që krijonte e Zhiru të pagabueshëm para portës, ia doli të çonte shpejt shifrat në 2-0, me Konsiljin i cili u desh të bënte mrekullinë disa herë për të evituar një goleadë edhe më të thellë. Gjithsesi, në fundin e pjesës së parë erdhi edhe goli i Kesi, i cili çoi shifrat në 3-0.
Në fraksionin e dytë të lojës, nuk ndryshoi thuajse asgjë edhe për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme në fushën e lojës nga të dy skuadrat. Kështu, u prit vetëm vërshëllima përfundimtare që ktheu titullin përsëri në duart e kuqezinjve.
Edhe Interi fiton me shifrat 3-0 përballë Sampdorias. Një pjesë e parë që përfundoi me shifrat 0-0, ndërsa në fraksionin e dytë, Perisiç, dhe dy herë Korrea vendosën suksesin zikaltër.