Aktualitet28 Dhjetor 2022, 12:10

Merrte ryshfet deri në 90 mijë euro, zbardhen detajet si i mashtronte ish-drejtoresha e Bashkisë Tiranë subjektet në Korçë për tendera nga shteti

Shkruar nga Pamfleti
Merrte ryshfet deri në 90 mijë euro, zbardhen detajet si i mashtronte

Policia e Korçës ka arrestuar ish drejtoreshën e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, Viola Sterjo për veprën penale të mashtrimit.

Sipas Policisë, Viola Sterjo u vu në pranga pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.

“Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, V. S., dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti”, tha policia.

Dyshohet se kjo shtetase ka mashtruar 5 subjekte, duke u marrë shuma që variojnë nga 20 mijë € deri në 90 mijë €. Sipas burimeve u ka premtuar subjekteve se do të ndërhyjë për të fituar projekte nga Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Subjektet kanë paguar lekët kundrejt projekteve që varjojnë nga 1 milion deri 4 milion euro.

Arrestimi i saj vjen pas një vendimi që ka marrë Gjykata e Shkallës së Parë Korçë dy ditë më parë, që ka caktuar ndaj 39-vjeçares masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Mashtrimi”.

Tirana #Viola Sterjo Arrestim