
Mesfushori shqiptar i “shpëton” luftës në Ukrainë, 25-vjeçari transferohet në Gjeorgji
Ardit Toli do të vijojë karrierën në Gjeorgji te skuadra e Torpedo Kutaisi. Në pjesën e parë të sezonit, 25-vjeçari ishte pjesë e Vorskla Potavas në Ukrainë, por minutazhi i paktë që i rezervuan ukrainasit duket se ka ndikuar në vendimin e mesfushorit për të ndryshuar ambient.
Ishin vetëm 10 ndeshje që Toli luajti me fanelën e Vorskla Poltavas, duke dhuruar edhe një asist të vetëm që ishte i rezervuar për Taulant Seferin.
Tashmë, mesfushorin e pret një aventurë e re. Toli do t’i bashkohet menjëherë skuadrës gjeorgjiane në Turqi, aty ku po kryen fazën përgatitore para startit të sezonit të ri më datë 26 shkurt. Kampionatin e kaluar, Torpedo e mbylli në vendin e pestë, pa mundur të kualifikohej në Kupat Europiane.