
Mesi apo Maradona? Trajneri i Argjentinës zgjedh Leon: Kam diçka të veçantë me “Pleshtin”
Lionel Skaloni, trajneri kampion bote me Argjentinën, ka trazuar ujërat pas deklaratës së fundit. “Të stërvis kombëtaren e Spanjës? Pse jo? Më ka dhënë kaq shumë dhe është shtëpia ime e dytë. Çdo argjentinas do të thoshte të njëjtën gjë, sepse na trajtojnë jashtëzakonisht mirë. Ndihem pjesë e këtij vendi, por Spanja është mirë të ketë trajnerë spanjollë”.
Kështu u shpreh trajneri Skaloni, i cili me shumë mundësi do të vijojë të drejtojë Argjentinën, por rinovimi ende nuk ka ardhur dhe këtë deklaratë të fundit të tij e kanë quajtur provokim pikërisht për këtë arsye, për të nxitur Presidentin e Federatës Albiçeleste të përpilojë sa më shpejt kontratën e re, e cila përfitet të jetë deri në vitin 2026 me kushte page të përmirësuara ndjeshëm pas triumfit në “Katar 2022”.
Skaloni shprehu edhe mendimin e tij për preferencat personale mes Diego Armando Maradonës dhe Leo Mesit, dy lojtarët më të rëndësishëm në historinë e Argjentinës: “Nëse më duhet të qendroj me njërin, unë zgjedh Leon, me të cilin kam diçka të veçantë. Ai është më i miri në histori, edhe nëse Maradona ishte gjithashtu i mrekullueshëm.
Të stërvitësh Mesin nuk është e vështirë. Në nivel teknik, ai nuk mund të korrigjohet, por nëse ndonjëherë ka presion ose një mënyrë sulmi, duhet ndihmuar” – përfundoi Skaloni intervistën e tij dhënë për spanjollen “Cadena Cope”.