Editorial 1 Shkurt 2023, 12:33

Mësimi që McGonigal na dha

Shkruar nga Pamfleti
Mësimi që McGonigal na dha

Mësimi që McGonigal na dha

Nëse edhe rasti i McGoningal nuk lexohet siç duhet nga ne, pra nga elektorati, nga intelektualët, nga populli i këtij vendi, atëherë jemi krejtësisht të pashpresë

Zhurmnaja, me të drejtë, e rastit të ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së dhe lidhjet e tij me politikën shqiptare, e kanë turbulluar thelbin e asaj që kjo ngjarje tregon. Ose, për ta thënë me qartë, e ka mbuluar disi, atë që shqiptarët duhet të kuptojnë nga kjo histori. Atë çfarë për shqiptarët duhet të ketë më shumë rëndësi.

E para, dalldia kryesore është diskutimi mbi faktin, nëse Edi Rama po hetohet apo jo nga FBI. Rasti tipik, kur shqiptarët e presin shpëtimin nga të tjerë, sidomos nga SHBA.

Edi Rama e ka mbushur me kohë kupën dhe është bërë për hekura, por ky nuk duket të jetë rasti që qielli të hapet dhe Rama e banda e tij të zhduket, pse krimet e tij i provoi FBI. Ekspertët e kanë sqaruar që, Edi Rama ka imunitet si kryetar shteti dhe, edhe sikur FBI të hetojë e të ketë prova, ato do të mund të përdoren vetëm pasi ai të mos jetë i ulur në karrigen e Kryeministrit.

Së dyti, është e kotë të kërkosh gjurmën kur ujku është përballë. Dokumentet janë publikuar dhe fakti më i rëndë është që Edi Rama ka kërkuar personalisht të dëmtojë opozitën shqiptare. Ai ka shkuar shumë larg dhe pikërisht këtu qëndron problemi më i madh. Për të mbajtur pushtetin, ai ka ngjallur ca ish-sigurimsa, ka ngritur ca skema e ka shkuar deri përtej oqeanit, për të shkatërruar të vetmen forcë që kishte përballë e që ndoshta i dukej rrezik për karrigen e tij. Edi Rama ka shkelur shumë ligje dhe me këtë ai provoi e zeza mbi të bardhë, se për të ruajtur pushtetin që ka, mund të bëjë gjithçka, deri edhe të komprometojë një zyrtar të lartë të FBI, duke i dhënë ryshfet në këmbim të sigurimit të disa argumenteve me të cilët ka luftuar për shumë kohë kundërshtarët e vet dhe ka siguruar pushtetin që ka.

Mendoni çfarë mund ti bëjë ky njeri, një shtetasi të zakonshëm, një biznesmeni, nje prokurori, gjyqtari apo ministri shqiptar. Për të siguruar shantazhin që i duhet, Edi Rama ka arritur të kompromentojë një njeri të sërës së Charles McGonigal. Po në një vend si Shqipëria, ku imuniteti i njeriut, integriteti dhe e drejta janë krejt të brishta dhe lehtësisht të cenueshme? Mendoni si e përdor pushtetin ky njeri!

Këtë të vërtetë duhet të shohin shqiptarët. Kjo është copa e fundit e mozaikut, me skandale, vjedhje, abuzime të kësaj qeverie që i ka bërë të gjitha tashme: ka ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet siç ka dashur; i ka përdorur paratë e shqiptarëve siç ka dashur; ka instaluar një sistem totalitar, sa dhe si e ka dashur; ka luajtur me drejtësinë sa herë dhe si ka dashur; ka përçarë, ka vjedhur e shkatërruar shpresën e çdo njeriu që jeton këtu.

Dhe e fundit: në vend që studiot e televizioneve të shndërrohen në kafe lagjesh, analistë e njerëz me mend duhet tu thonë shqiptarëve edhe një e vërtetë tjetër në lidhje me rastin: Shikoni çfarë po ndodh dhe si po trajtohet rasti i Charles McGonigal në SHBA.

Bëhet fjalë për një njeri të rëndësishëm e me pushtet. Shikoni dhe nxirrni mësimet që duhet se si e qysh duhet te funksionojë drejtësia; shikoni e mësoni se si trajtohet një rast korrupsioni e çfarë fundi kanë ata që guxojnë ta bëjnë.

Më pas kthejuni Shqipërisë e shikoni ku i kemi ata që janë zënë me dhjetra herë duke dhënë e marrë para, duke bërë korrupsion e madje edhe duke vrarë njerëz.

Nëse edhe rasti i McGoningal nuk lexohet siç duhet nga ne, pra nga elektorati, nga intelektualët, nga populli i këtij vendi, atëherë jemi krejtësisht të pashpresë./Pamfleti

Editorial “Pamfleti” #Mësimi që McGonigal na dha Gjergj Zefi