Pas pakësimit të numrit të nxënësve me afro 15% çdo vit për shkak të emigrimit, braktisjes nga varfëria dhe largësia e shkollave; pas rrumpallës, banaliteteve në tekste mësimore dhe degradimit në cilësinë e mësimdhënies deri në alfabetizëm, po zhdukin dhe dokumentin themeltar të arsimit para-universitar që me ligj ruhet 9 vite
Nuk është thjeshtë skandal, por është turp qeveritar, që shkollat nuk janë pajisur akoma me regjistra mësimor, për të pasqyruar notat e nxënësve, siç e detyron ligji për arsimin para-universitar, por vazhdojnë akoma me fletore shënimesh, të cilët ministresha i quan “regjistra”.
Regjistri i notave, i pasqyrimit të orëve, programit lëndor e të dhënave personale të nxënësve, duhet të jetë në dorën e mësuesit, ditën e parë të fillimit të vitit shkollor, mirëpo kanë kaluar 4 muaj dhe ky dokument themeltar, nuk është çuar akoma në 95% të shkollave të vendit.
Pas ankesave që bënë disa prindër në media, Ministria e Arsimit tentoi ta mbyll skandalin, duke dërguar nga 10 copë regjistra në 3-4 shkolla të Tiranës në muajin dhjetor dhe transmetoi video-kronikën në ERTV e disa media ndërtuesish.
Vetë ministria, fillimisht ka thënë se nuk ishte bërë tenderi në kohën e duhur për shkaqe objektive; pastaj deklaroi se tenderi është bërë, por ka patur probleme teknike në shtypshkronjë, ndërsa tani po hesht e po lë shkollat pa regjistra.
Në fakt, nuk qëndron asnjë nga këto justifikime, sepse Ministria e Arsimit i ka paguar 2.1 milionë Euro pa tender qysh në muajin janar 2021, për prodhimin e regjistrave për 2 vitet mësimore 2021-2023, të cilat në 1 shtator duhej të ishin dorëzuar në çdo Zyrë Arsimore Qarku.
Pra, miliardat janë paguar, por regjistrat e shkollave nuk janë prodhuar, ndërsa kupola e ministrisë, për të fshehur dhe harruar skandalin e zhdukjes së fondit 2.1 milionë Euro, ka urdhëruar mësuesit të regjistrojnë notat në fletore, si në vitin 1945 te shkollat e Dritan Shkabës.
Edhe vitin e kaluar, regjistrat u çuan në shkolla në fund të muajit nëntor, ndërsa këtë vit nuk janë çuar, as tani që po afron muaji i pestë i mësimit, duke vazhduar të mbahen notat nëpër fletore nga mësuesit, pa dokumentim ligjor.
Këtë vit, Ministria e Arsimit ka nisur të thotë, se regjistrat janë prodhuar por nuk po shpërndahen, mbasi notat do mbahen me regjistër elektronik te “e-albania” nga mësuesit.
Por nuk thotë, se si do t’i vendosin këto nota elektronike mësuesit e 711 shkollave në zonat rurale, ku gjatë porëve mësimore jo vetëm nuk ka internet e kompjutera, por nuk ka as energji elektrike dhe mësuesit do vazhdojnë me fletore.
Ky proces elektronik, nuk ka filluar as në shkollat kryesore të Tiranës, sepse vetë ministria nuk i ka krijuar “Database”-t e regjistrave mësimor për çdo zonë, shkollë, klasë e nxënës; por as nuk sqarojnë se çfarë do bëhet me notat e këtij viti, dhe si do pasqyrohen ato në Amza.
Nuk themi, që notat dhe amzat e shkollave të mos futen në sistemin digjital, por infrastruktura ekzistuese e arsimit në Shqipëri është ende në nivelin e nevojës së pashmangshme të regjistrave letër, që duhen ruajtur edhe si bazë lëndore për digjitalizimin kur të bëhet.
FAKT/ Pas pakësimit të numrit të nxënësve me afro 15% çdo vit për shkak të emigrimit, braktisjes nga varfëria dhe largësia e shkollave; pas rrumpallës e banaliteteve në tekstet mësimore dhe degradimit në cilësinë mësimdhënies deri në alfabetizëm, po zhdukin dhe dokumentin themeltar të arsimit para-univeriatar, që me ligj duhet të ruhet 9 vite./Pamfleti