Politike10 Gusht 2022, 13:17

Meta dhe Berisha përkujtojnë 34-vjetorin e varjes në litar të poetit Havzi Nela: Edvin kërko ndjesë!

Shkruar nga Pamfleti
Meta dhe Berisha përkujtojnë 34-vjetorin e varjes në litar

Meta dhe Berisha përkujtojnë 34-vjetorin e varjes në litar të poetit Havzi Nela: Edvin kërko ndjesë!

Sot shënohet 34-vjetori i vdekjes së poetit disident dhe intelektualit Havzi Nela, “Dëshmor i Demokracisë”, i cili u var nga regjimi më 10 gusht të vitit 1988 në qytetin e Kukësit.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Ilir Meta e ka konsideruar Nelën “simbolin e fjalës së lirë dhe dinjitetit njerëzor”. Po ashtu, politikani ka publikuar disa nga vargjet e Nelës, në shenjë nderimi ndaj figurës së tij.

Përkujtojmë me nderim poetin martir, Havzi Nela, simbolin e fjalës së lirë dhe dinjitetit njerëzor, që shpërfilli dhe vdekjen për të mbetur i përjetshëm si poeti i LIRISË.

Sot me kumtin e vargjeve të tij ai frymëzon më shumë se asnjëherë tjetër për triumfin e fjalës së lirë dhe të LIRISË.

O LIRI, O VDEKJE!

NGA Havzi Nela

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,

Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;

Vdekja për liri nuk më tremb aspak,

Si e duron robninë zemra e nji trimi?

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!

Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!

T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,

Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?

Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?

Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,

Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?

Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.

Me durim e shpresë nuk due të vdes.

Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri

Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.

Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!

Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Arrën, nandor 1987”– shkruan Meta.

Nderimet në 34-vjetorin e vrasjes së poetit Havzi Nela nga regjimi komunist, i ka shprehur edhe Sali Berisha. Kreu i Rithemelimit i kërkoi kreut të qeverisë, Edi Rama, të kërkojë ndjesë dhe të dënojë firmën e xhelatëve që çuan në litar Havzi Nelën, mes të cilëve edhe i ati i tij, Kristaq Rama.

Sipas ish-kryeministrit, dënimi me varje për fjalën e lirë i Havzi Nelës dëshmon fytyrën mizore të diktaturës hoxhiste që kishte qëllim hakmarrjen ndaj intelektualëve dhe mendimit të lirë.

“Sot 34 vjetori i martirizmit te poetit disident hero te fjales se lire Havzi Nela!

Edvin, sot eshte dita qe duhet te denosh firmen e xhelateve, nder te cileve edhe te babait tend, per varjen e tij. Kerko ndjese!!

Te dashur miq,

Sot mbare kombi shqiptar perulet me nderimin me te madh para kujtimit dhe vepres se pavdekshme te martirit te lirise, poetit disident, heroit te fjales, Havzi Nela, i cili 34 vjet me pare u var per fjalen e lire per vargjet e tij ne sheshin kryesor te qytetit te Kukesit me firmen e xhelateve te diktatures staliniste Ramiz Alia dhe Kristaq Rama, babai bilogjik i Edi Rames.

Ky akt horror qe deshmon fytyren mizore te diktatures hoxhiste, kishte synim kryesor jo vetem hakmarrjen primitive te xhelateve te regjimit por edhe terrorizimin e popullates ne teresi dhe inteligjences shqiptare ne veçanti dhe te vriste pa lindur çdo varge apo fjalen e lire.

Nderim perjete poetit disident Havzi Nela.

Ketu me poshte keni nje poezi te poetit Havzi Nela dhe nje status per te birin e xhelatit Kristaq Rama qe se bashku me diktatorin Ramiz Alia firmosi varjen ne litar te poetit disident.

– Poezia “Fryma e Helsinkit” nga Havzi Nela

Kështjella feudale tundet e lëkundet

Si nji varkë e thyeme mbi valët përkundet;

Tirani mizor me detin sot po mundet

Thellë, gjithnji ma thellë n’mes dallgëve po futet.

Fryma e Helsinkit u derdh porsi era

Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera;

Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë

Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta, nuk do vdesë!

-Sot eshte nje dite qe mund te beheshe njeri

Edvin!

Sot eshte 34 vjetori i varjes ne litar ne sheshin qendror te qytetit te Kukesit te poetit disident Havzi Nela, me firme te xhelateve Ramiz Alia dhe Kristaq Rama, babait tend biologjik.

Sot eshte nje dite qe Edvin Kristaq Xhelati mund te “vare” brenda vetes çnjerezoren e neobllokmenit dhe te tregoje qofte dhe per pak çaste nje grimce ndergjegje te njeriut te qyteteruar, te denoje krimin mizor te te atit te tij xhelat dhe t’i kerkoje ndjese publike familjes dhe se paku botes se letrave per varjen me firmen e Ramiz Alise dhe Kristaq Rames te poetit disident Havzi Nela. Keto pak rreshta nuk i shkruaj per politike por si nje apel per ngadhenjimin e njeriut mbi antinjeriun! Sb”- shkruan Berisha.

Politike Berisha Havzi Nela Meta Rama