Aktualitet29 Nëntor 2022, 12:17

Meta i shkon Berishës pas avazit, i bashkohet protestës së “non gratës” kundër ndërkombëtarëve

Shkruar nga Pamfleti
Meta i shkon Berishës pas avazit, i bashkohet protestës së

Ilir Meta i ka dalë në krah Sali Berishës për protestën e 6 dhjetorit. Edhe pse do të jetë një protestë kundër ndërkombëtarëve, kreu i Partisë së Lirisë ka vendosur t’i shkojë pas çmendurisë së “non gratës”.

Pak ditë më parë Meta e Berisha patën një takim në selinë e PD dhe në njoftimin që nxori “Foltorja” nuk përmendej protesta e 6 dhjetorit, duke dhënë sinjale se Meta e kishte bojkotuar. Por në fakt jo, Meta do të jetë në shesh më 6 dhjetor, në një protestë që bëhet qëllimisht në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë kur në Tiranë do të mbahet Samiti i BE me Ballkanin Perëndimor.

Berisha është izoluar nga të katra anët dhe kërkon të tregojë forcë te ndërkombëtarët. Por duket se Meta do i shkojë pas avazit, duke konfirmuar dhe një herë se ndoshta dhe ish-presidenti është në shënjestër të ndërkombëtarëve.

Meta foli nga Varrezat e Dëshmorëve për protestën, ku konfirmoi se partia e tij do të jetë në shesh.

Nëntori për ne shqiptarët është muaji i pavarësisë, i çlirimit dhe lirisë. Dhe ju e dini që dhjetori po kështu për gjithë shqiptarët e ndershëm patriotë dhe liridashës është muaji i demokracisë dhe i Europës, kështu që pa asnjë diskutim që më 6 dhjetor ne do të jemi të gjithë për të brohoritur se do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, një vend të lirë, ku t’i jepet fund kapjes së shtetit dhe instalimit të mafies në pushtet”, deklaroi Meta.

Gazetarët e pyetën dhe mbi rrezikun e cenimit të sigurisë kombëtare, kjo pasi Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë i bllokuar për të garantur sigurinë e krerëve të BE. Por Meta sulmoi qeverinë, duke thënë se sigurinë e cenon “mafia qeveritare”. Po ashtu foli dhe për propozimin e Veliajt që tubimi të mbahet te sheshi “Skënderbej”.

Siguria në Shqipëri është nën kërcënimin e mafias në pushtet dhe kurrsesi të qytetarëve të lirë. Së dyti nuk është protestë ndaj kryetarit të bashkisë, pasi bileta e tij është pa kthim më 14 maj, por është njoftuar manifestim pro europian që e gjithë Shqipëria dëshiron të japë mesazh mirënjohje për vendimin me rëndësi edhe gjeopolitik të BE, për të nxitur Shqipërinë dhe vendet e tjera që të ecin në rrugën e integrimit europian. Në Shqipëri nuk ka asgjë dhe s’duhet të ketë asgjë më të rëndësishme se kushtetuta dhe mbi kushtetutën është populli europian i Shqipërisë. Dhjetori është muaji i demokracisë. Manifestim paqësor. Dhjetori është muaji i demokracisë dhe Europës“, tha Meta.

Pra duket se tani dyshja Meta-Berisha është e pandarë dhe ish-presidentit sado mundohet të hiqet si pro-evropian, i shkon pas avazit aleatit të tij. /Pamfleti

Kryesore Meta Protesta e 6 Dhjetorit