Kryeministri Edi Rama ka ironizuar Presidentin Ilir Meta i cili në këtë 21 janar ishte në Korçë dhe kur u pyet për gazetarët, nuk dha asnjë përgjigje për 11 vjetorin nga vrasja e katër protestuesve.
“Si prisni që Ilir Meta të përgjigjet për 21 janarin? E vetmja gjë që mund të bëjë tjetër përvecse të shpërndajë dekorata, dekorata pa asnjë vlerë, kuptim e përmbajtje që janë një tallje e madhe me ata njerëz që për fat të keq shkojnë akoma e marrin dekoratat e Ilir Metës që janë bosh në kuptim përmbajtje e vlerë”, tha Rama.
I pyetur nga një qytetar se përse një president i shkarkuar nga Kuvendi dekreton zgjedhjet, Rama tha: “Meta është zgjidhur president me votat e tij, jo me tonat. Ne nuk i kishim votat e në mes të një keqeje si zgjedhja e Ilir Metës dhe e keqes tjetër për vendosjen e shtetit në kaos, zgjodhëm të keqen më të vogël. Ne e kemi shkarkuar Ilir Metën. Ai është i shkarkuar nga Kuvendi, por pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Nuk jemi as në Monarki, diktaturë, pavarësisht se një grup njerëzish të frymëzuar nga instinktet e urrejtjes flasin për regjim. Nëse do të kishte regjim askush nuk do të hapte gojën e të fliste për të. Ne fituam zgjedhjet. E dyta u angazhuam për Reformën në Drejtësi, e bëmë atë, nisëm procesin e pastrimit të llumit me pastrimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Nisi ngritja e institucioneve të reja. SPAK e Gjykata Speciale janë dy institucione të reja që po funksionojnë. Nëse këto duken pak, më besoni janë shumë për harkun kohor për të cilën kanë ndodhur. Janë shumë. Drejtësia e re ka nisur të funksionojë, por është një foshnje që ka nisur të hedhë hapat e para. Forcimi i muskujve të kësaj drejtësie të re do kohë, sepse nëse gjërat do të ishin kaq të thjeshta do i bënin të tjerët më para, nuk do i vinte radha një piktori që të bëhej kryeministër”.