Aktualitet19 Maj 2022, 22:07

Meta me gjuhën e Berishës, llogari SPAK për arratisjen e bosëve të krimit: Alarmante, informacioni ka rrjedhur një ditë para ekzekutimit të urdhër-arresteve!

Shkruar nga Pamfleti
Meta me gjuhën e Berishës, llogari SPAK për arratisjen e

Foto Ilustruese

Presidenti Ilir Meta ka komentuar mega-operacionin e SPAK, i cili bëri të mundur arrestimin e 18 personave të përfshirë në trafiqe, vrasje, grabitje dhe vepra të rënda kriminale.

Për MCN TV, Meta sikurse Sali Berisha ka hedhur dyshime për rrjedhje informacioni nga struktura e Prokurorisë së Posaçme, çka i ka dhënë mundësinë disa prej kokave të krimit të largohen.

Sipas Metës, duhet një shpjegim se përse në operacioni e fundit nuk kishte ndalim të të gjithë të dyshuarve, por vetëm të një pjese të tyre.

“SPAK duhet të kishte vepruar para zgjedhjeve. Duhet të ketë sqarime për publikun pse aksioni i fundit nuk çoi në ndalimin e të gjithë të dyshuarve. Personat që janë arrestuar sot nga SPAK, janë ata të cilët janë akuzuar dhe për krimet zgjedhore. Alarmant është fakti që informacioni ka rrjedhur një ditë para se të ekzekutoheshin këto urdhra arresti. Shpresojmë që drejtësia të funksionojë dhe ata që kanë qenë deri dje të paprekshëm sot të jenë para drejtësisë. E rëndësishme është që hetimi të vazhdojë dhe të jetë i pavarur, unë këtu nuk po përmend vetëm incidentet në kohën e zgjedhjeve por dhe ato më përpara. Vetëm një goditje e forte, jo selektive, duke mos mbajtur anën e një grupi kriminal kundër një grupi tjetër, vetëm duke zbatuar ligjin, do të rikthejë besimin e qytetareve tek drejtësia”, ka thënë Meta.

Vlen të theksohet se, më herët Sali Berisha deklaroi nga Korça se megaoperacioni për goditjen e bandave në vend që solli arrestimin e 18 personave, ka vënë në pranga vetëm një nga bosët e krimit. Ndërkaq, të tjerëve – sipas tij – iu dha mesazhi që të iknin.

“Arrestime në erë, dmth nga 8 bosë të shpallur, vetëm njëri është në arrest. Të tjerët morën lajmin; ikni sa më shpejt”- tha Berisha.

Aktualitet Berisha Meta SPAK urdherarreste