
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shfaqur hapur ambicien për Bashkinë e Tiranës.
Është përfolur shumë se ai mund të kandidojë për kryetar në bashkinë e kryeqyteti dhe duket se tashmë po e tregon hapur. Prej disa ditësh, Meta po sulmon kryebashkiakun Veliaj për inceneratorët, ndërsa sot ka nisur një sulm frontal sa i takon gjendjes së qytetit.
Meta ka mbledhur në një takim strukturat e partisë së kryeqytetit dhe e gjithë retorika e tij është përqendruar te sulmet ndaj Valiajt, duke dhënë sinjale se kreu i PL ka ambicie për të kandiduar në zgjedhjet e vitit që vjen.
“Kjo tirani do jetë nën këmbët tuaja dhe popullit të lirë të Tiranës. Tirana do jetë e para kundër tiranisë. Shqipëria ka pasur pushtues edhe të përgjegjshëm. Sigurisht që Tirana ka përjetuar si askush tjetër, pabesinë e këtij sekti makut por edhe antikombëtar që e nisi duke u përpjekur të vjedhë meritat e ish-kryeministrit Ilir Meta për t’i rikthyer Tiranës parqet e gjelbra, për të mbrojtur atë trashëgimi kulturore që kishte Tirana nga e kaluara përfshirë dhe Teatrin Kombëtar.
Për ta kthyer në Tiranën e betonit, ku nuk dallohet kulla e Sahatit për shkak se kulla të tjera qiellgërvishtëse kanë mbushur Tiranën. Tirana ka hak për të marrë, do e marrë shumë shpejt për ta kthyer pabesinë me drejtësi për t’i dhënë fund këtij degradimi”, tha Meta.
Por pse Meta e lakmon Bashkinë e Tiranës? Dyshimet janë se ish-presidenti është në panik nga mungesa e imunitetit politik. Meta pas largimit nga Presidenca nuk ka asnjë lloj mbrojtje. Si President ai nuk hetohej dot dhe tani është pre e lehtë e drejtësisë, pasi nuk është as deputet dhe nuk ka siguri. Por kryebashkiaku i Tiranës është një hap më poshtë kryeministrit. Erion Veliaj është i zhytur në shumë afera, por nëse shohim nuk i hyn gjemb në këmbë. Si duket, Meta po tenton që të krijojë mburojë politike përballë drejtësisë.