Presidenti Ilir Meta u është rikthyer sulmeve ndaj reformës në drejtësi. Dikur nisi një fushatë me të ashtuquajturën “Ramformë”, por e stopoi pas shuplakës nga SHBA.
Meta ishte sot në një intervistë në “Fax News”, ku u shpreh se drejtësia është e kapur nga Rama, duke dalë në të njëjtën linjë me Sali Berishën.
“Nuk ka njeri më të përkushtuar, që e ka treguar me vullnet, me transparencë, me bashkëpunim interesin për t’iu përmbajtur asaj Reforme në Drejtësi, që kërkonin qytetarët shqiptarë. Të gjithë tashmë e dinë, që Reforma u kthye në Ramaformë dhe këtë gjë unë e kam thënë prej kohësh. Drejtësia mori formën e zotit Rama, siç edhe ka marrë formën e tij çdo institucion tjetër në këtë vend. Nuk është ajo drejtësia e pavarur që pritej, se po të ishte, Shqipëria nuk do të shkonte pikiatë në renditjen e Transparency International, Reporterëve pa Kufij dhe Listës së Investimeve. Sepse në të kundërtën, 1 kilometër rrugë nuk do shkonte 6 herë më shtrenjtë sesa në Serbi dhe për këtë nuk ka asnjë arsye. Kjo do të thotë 6 herë më shumë korrupsion dhe fiktivitet në projektet, që bëhen dhe normalisht i bie 6 herë më pak rrugë që, mund të ishin bërë gjatë kësaj periudhe”, u shpreh Meta.