Presidenti Ilir Meta ka nisur të bëjë rolin e opozitarit, teksa brenda 3 javësh do të duhet të largohet nga Presidenca.
Tashmë është bërë e qartë se ai dhe Berisha do të dalin në një front të përbashkët dhe si duket presidenti ka nisur përgatitjet.
Kreu i shtetit ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, mbi koncesionet dhe PPP e dhëna në mënyrë korruptive.
Meta u shpreh se po abuzohet me koncesioneve dhe sipas tij këtë e tregon qartë rritja e kostos së ndërtimit në vendin tonë, specifikisht ajo e ndërtimit të rrugëve e cila ka kostot më të larta nga të gjithë vendet e BE.
“Koncesionet dhe PPP-të po dëshmojnë qartësisht dhënien e tyre në mënyrë korruptive dhe klienteliste. Këtë e tregon rritja e pandalshme e kostos së ndërtimit, kryesisht të rrugëve. Fakti që ndërtimi i rrugëve në Shqipëri, koston më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Evropian dhe të rajonit, është një tregues shumë domethënës i abuzimit me fondet publike”, shkruan Meta.
Presidenti tha se këto praktika janë shume të dëmshme për ekonominë e vendit dhe rëndojnë borxhin publik, sipas tije duhet vepruar për të vëne para drejtësisë përgjegjësit e përfshirë në këto afera qofshin ata edhe në nivelet më të larta shtetërore
“Këto praktika janë shumë të dëmshme për ekonominë e vendit, veçanërisht për rëndimin e buxhetit të shtetit dhe rritjen e pandalshme të borxhit publik. Është jetike të shtohen përpjekjet për të minimizuar dhënien e koncensioneve, forcimin e sundimit të ligjit dhe ndëshkimin e përgjegjësve në nivelet më të larta shtetërore të përfshirë në këto afera”, përfundoi Meta.