
Ish-presidenti Ilir Meta ka bërë fajtor Edi Ramën për largimin e shqiptarëve. Në kulmin e debateve me Britaninë, Meta ka folur për radion angleze LBC, ku shprehet se shqiptarët po ikin për shkak të keqqeverisjes.
“Fatkeqësisht kjo po ndodh për shkak të mungesës së mundësive që u ofron qeveria autokratike e kryeministrit Rama, i cili është në detyrë prej 10 vitesh. Dhe gjithashtu prej mungesës së shtetit të së drejtës në vend. Janë këto, dy arsyet kryesore që kanë vrarë shpresat e të rinjve shqiptarë dhe po i detyrojnë ata të largohen nga vendi”, tha Meta.
Por i pyetur se përse ata kërkojnë azil në Britani, Meta tha: “Sepse për shumicën prej tyre, standardi i jetesës që kishin në vendin tonë ka ardhur duke u përkeqësuar. Por Shqipëria nuk është në luftë, nuk është në gjendje lufte, janë kushtet ekonomike që padyshim janë shumë të vështira. Gjermania për shembull deklaron se Shqipëria është një vend i sigurt.
Po ke të drejtë, por gjendja ekonomike, gjendja sociale, përjashtimi social është në nivele të tilla, sa janë gati të marrin çdo rrezik dhe të kalojnë La Mansh me gomone, sepse qeveria shqiptare është aktori kryesor përgjegjës për vrasjen e shpresave të tyre për të ndërtuar të ardhmen në vend”.