Janë miliona dollarë e euro që janë hedhur në media dhe nëpër lobime të ndryshme, në SHBA dhe BE, vetëm për të paraqitur një pamje të rrejshme në sytë e qyetarëve shqiptarë e partnerëve tanë ndërkombëtarë. E filloi Berisha në kulmin e “Gërdecit”, “Rrugës së Kombit”, “21 janarit”, aferës së CEZ-DIA, e vijoi Meta për “bllokun” dhe shpëtuar veten nga burgu, dhe përmes financimeve ruse. Kryeministri Rama e ngriti në sistem lobimin dhe blerjen me mediave me paratë e shqiptarëve, duke “infektuar” dhe kreun e PD Basha, i cili nuk u shkakton “kosto” shqiptarëve, pasi e financojnë rusët e KGB-së, për të cilët është nën hetim nga FBI. TV-të italiane po ia ndjejnë “lezetin” sherrit mes Ramës e Basha-Kryemadhit, madje duke e nxitur, ndërsa që paratë e shqiptarëve derdhen lumë në llogaritë e tyre
Politika shqiptare i ka bërë “hasha” takimet “sy më sy” me qytetarët, si në qeverisje ashtu dhe në opozitë, duke u bërë rob i teknologjisë e rrugëve të lehta për të mbajtur apo ardhur në pushtet.
Janë miliona dollarë dhe euro që janë hedhur në media dhe nëpër lobime të ndryshme, në SHBA dhe BE, thjeshtë dhe vetëm për të paraqitur një pamje të rrejshme në sytë e qyetarëve shqiptarë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
E filloi Sali Berisha që pagoi lobistë në SHBA për t’i bërë reklamë qeverisjes së tij, megjithëse kishte shpërthyer “Gërdeci”, ishte vjedhur “Rruga e Kombit”, ishte në ‘fuqi’ afera e CEZ-DIA, “blloku” Ilir Metës, ishin vrarë 4 demonstrues të opozitës në mes të bulevardit.
Ish kryeministri Berisha nuk u ndal asgjë, por pagoi miliona për “Podestën” nga arka e shtetit shqiptar për të lobuar pranë qeverisë amerikane për të krijuar idenë se në Shqipëri gjithçka po ecte sipas parametrave demokratikë.
Por nuk kurseu paratë as për europianët, duke “dorovitur” eksponentë të tyre, herë përmes lobimeve, apo lehtësirave për kompanitë dhe bizneset respektive në Shqipëri, në këmbim të mbështetjes për qeverinë që drejtonte.
Njëherësh pjesë e këtij lobimi ishin dhe artikujt e paguar kundër liderit të atëhershëm të opozitës Edi Rama, duke botuar deri dhe detaje nga jeta e tij personale dhe elementë të tjerë diskretitues për të, që të ulnin kuotat politike të tij në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.
Ndërkohë që janë proverbiale reklamat televizive të dhëna me paratë e shtetit nga ana e Berishës, me vlera vetëm mbi 1 milionë euro për mediat klienteliste, mes të cilave “spikat” spoti publicitar i vitit 2012, ku ‘mësohen’ shqiptarët se si të heqin borën nga çatia me…lopatë.
Megjithatë ky lobim ishte një investim i madh dhe me një vlerë zero për vetë Berishën, pasi ambasadorët janë skrupulozë në realizimin e detyrës, çka solli largimin katastrofik të PD nga pushteti, ndërsa shteti shqiptar vijon të paguajë ende faturat e prapambetura të lobimeve.
Prapa tij nuk mbeti as Ilir Meta, i cili ka lobuar fort në SHBA, por duke zgjedhur të përfshijë dhe paratë e oligarkëve dhe kriminelëve rusë me të cilët ishte i lidhur bashkë me ish kryeministrin maqedonas Gruevski. Për këtë arësye është nën hetim nga FBI amerikane, ndërkohë që pagesa në media kundër kryeministrit aktual Rama sërish vijohet, për tashmë në emër të Monikës. Ndërkohë që vijojn tyë paguajë shuma të mëdha për të shpëtuar nga burgu.
Ekzemplar është kryeministri aktual Edi Rama, i cili gjithë qeverisjen e tij e ka ngritur mbi botën teknologjike dhe virtuale, për të bërë një paraqitje mashtruese përballë qytetarëve e partnerëve tanë ndërkombëtarë, ndërkohë që hedh miliona euro e dollarë vetëm për mediat e lobimet.
Nuk janë të rastësishme artikujt në mediat e huaja për “ecurinë pozitive” të Shqipërisë, turizmin dhe elementë të tjerë ku evidentohet efekti qeverisës i Ramës dhe qeverisë së PS.
Ndërkohë që nuk kanë munguar “inkursionet” e vetë Ramës në mediat italiane, franceze dhe amerikane për të “hequr baltën e PD” sipas tij, por që në të vërtetë këto dalje televizive bëhen me paratë e qytetarëve shqiptare.
Pa përjashtuar në këtë mënyrë paratë e hedhura në mediat klientelë e qeverisë, përmes dhënies së punëve publike, me ose pa PPP dhe në mënyra të ndryshme. Të gjitha para që hiqen nga “goja” e qytetarëve shqiptarë dhe shkojnë thjeshtë për suksese dixhitale, pa përjashtuar këtu kontratat lobuese me shifra marramendëse.
Prapa nuk mbetet Lulzim Basha, por ky është më “esnaf” duke zgjedhur rrugë më të rrezikshme, pasi pajton kompani që financohen nga parajsat fiskale me pronarë rusë, për të lobuar në SHBA kundër qeverisë së Ramës.
Për hir të vërtetës Basha, pavarësisht shkeljes së ligjit për të cilin është nën hetim të FBI-së amerikanë dhe Prokurorisë shqiptare për financimet ruse të lobimeve, nuk i ka sjellë dëm financiar shtetit shqiptar, se fundja para të pista ruse janë. Paçka rrezikut të madh që sjellin.
Ndërkohë që televizionet italiane ia kanë ndjerë “lezetin” politikanëve shqiptarë dhe vijojnë të nxisin sherrin mes tyre, duke bërë që Basha, Rama por dhe Meta e Monika të jenë në “garë” me njëri tjetrin, kush paguan më shumë për të dalë në këto media.
Dhe gjithçka hiqet nga paratë e qytetarëve shqiptarë, ku në vend që të investohet në arsim, shëndetësi, rrugë apo shërbime të tjera ndaj shqiptarëve, paratë bëhen “tym” për media e lobime./Pamfleti/