Politike 1 Gusht 2018, 10:33

Meta thellon përplasjet me qeverinë, kthen në Kuvend edhe ligjin për tatimin e lojërave të fatit, bëhet sërish palë me

Shkruar nga Pamfleti
Meta thellon përplasjet me qeverinë, kthen në Kuvend edhe ligjin

Meta thellon përplasjet me qeverinë, kthen në Kuvend edhe ligjin për tatimin e lojërave të fatit, bëhet sërish palë me opozitën

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ndezi dje debatin e radhës me qeverinë. Ai vendosi që të kthente në Kuvend për rishqyrtim ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”. Mazhoranca kaloi në Parlament pak ditë më parë ligjin që redukton barrën fiskale për industrinë e lojërave të fatit dhe për një nismë të tillë pati edhe reagime nga opozita, e cila e kundërshtoi një gjë të tillë.

Por Meta ka vendosur dje që të mos e dekretojë një ligj të tillë, duke thelluar kështu përplasjet me mazhorancën, por ç’është më e rëndësishmja, duke u rreshtuar edhe një herë krah opozitës. “Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr. 10850, datë 30.07.2018, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Kjo nuk është hera e parë që Meta merr përsipër një veprim të tillë.

Kujtojmë që vetëm 5 ditë më parë ai ktheu mbrapsht në Kuvend edhe ligjin për Teatrin Kombëtar, ndërsa kjo është hera e dytë që vendos të sfidojë hapur qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Ajo që e thellon më shumë përplasjen mes Qeverisë dhe Presidencës është fakti se kreu i shtetit nuk ka dekretuar akoma propozimin e kryeministrit Edi Rama për kreun e SHISH, Helidon Bendon. Kjo tregon se Ilir Meta po e mban peng Bendon me qëllim irritimin e marrëdhënieve me Ramën, ndërsa për ta shtuar më shumë irritimin ai kthen mbrapsht edhe dy ligjet e mazhorancës, duke u bërë palë në të dyja rastet me opozitën. Pra, kemi të bëjmë me një sfidë të hapur që Ilir Meta i ka shpallur Edi Ramës dhe duket se përplasjet mes tyre vijojnë, edhe pse tashmë Meta mban postin e presidentit.

Argumentet e Metës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka renditur edhe një sërë argumentesh ku ka bazuar vendimin e tij për të kthyer për rishqyrtim ligjin për të ulur TVSH për lojërat e fatit. Sipas Metës, nëse bëhet ky ndryshim në ligj, atëherë do të përfitojnë vetëm lojërat e fatit dhe jo publiku. “Ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojërave të fatit, ndërkohë që ky nen nuk është në interes të publikut, si dhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit apo në ekonominë familjare janë negative”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Po ashtu, kreu i shtetit ka shpjeguar se vendimin e ka marrë sepse qeveria në këtë rast nuk garanton dekurajimin e lojërave të fatit, duke qenë se këto të fundit ndikojnë negativisht në shumë familje shqiptare. “Miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojërave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cenojnë familjen shqiptare”, vijojnë më tej argumentet e kreut të shtetit, Ilir Meta.

Politike