Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me artikullin e publikuar nga Zëri i Amerikës, ku deklarohej se 220 mijë shqiparë janë larguar nga vendi në 6 vitet e fundit. Meta ka thënë se ky shpopullim është pjesë e një agjende të qëllimshme e cila tenton të falimentojë Shqipërinë si komb.
“Axhenda e qëllimshme antikombëtare për shpopullimin dhe falimentimin e Shqipërisë është një fakt i qartë. Pasojat tragjike ndihen në çdo familje shqiptare dhe në çdo sektor. Është detyra e të gjithëve të unifikohemi pa humbur më kohë, në një front të përbashkët kombëtar, për të adresuar me përgjegjshmëri, atdhetari dhe profesionalizëm këtë dramë të madhe, duke ringjallur shpresën” ka thënë ai.
Meta ka shtuar se nevoitet një stratëgji për të ndaluar këtë proces, e cila garantohet vetëm me një qeverisje me standarte dhe dëgjimin e kërkesave të qytetarëve.
“Nevojitet urgjentisht një strategji e qartë dhe efektive që lufton realisht dhe në mënyrë permanente fenomenet që çojnë në braktisjen e vendit nga shqiptarët, duke garantuar së pari standarde të qeverisjes, llogaridhënie demokratike në çdo nivel dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve nëpërmjet referendumeve. Të bashkojmë energjitë për t’i dhënë Shqipërisë drejtimin dhe perspektivën e merituar europiane! Koha për të ndërtuar Europën në Shqipëri është tani”, ka përfunduar Presidenti.