Aktualitet10 Tetor 2022, 07:57

"Miku i fëmijëve”/ Historia e errët që fshihet pas fotos së famshme të Stalinit me vajzën sovjetike

Shkruar nga Pamfleti
"Miku i fëmijëve”/ Historia e errët që fshihet

"Miku i fëmijëve”/ Historia e errët që fshihet pas fotos së famshme të Stalinit me vajzën sovjetike

“Vetëm pasi njerëzit filluan të kthehen nga kampet e punës dhe të vërtetat u zbulua për epokën e Stalinit, e kuptova çfarë ishte ai”, tha ajo duke kujtuar se pavarësisht të gjithave ajo ka qarë e ka bërtitur ditën e vdekjes së Stalinit, ashtu sikurse edhe shumë sovjetikë të tjerë. Kaq shumë karizmatik pati qenë “miku më i mirë i fëmijëve”.

Shkruan Oleg Yegorov – Russia Beyond

Fotografia e famshme e Joseph Stalinit me një vajzë të vogël që e mbante në krahë, e portretizoi atë si një lider të dashur.

Mirëpo kjo fotografi nuk pati të njëjtin përfundim për vogëlushen që shfaqet në të, Engelsina Markizova, prindërit e së cilët u vranë.

Në vitin 1936, Engelsina Markizova, një vajzë sovjetike 7-vjeçare, kaloi 15 minuta me udhëheqësin sovjetik, Joseph Stalin.

Takimi i vajzës me liderin

Ardan Markizov, babai i Engelsinës, ishte një komunist i devotshëm, i cili ia vuri emrin vajzën së tij sipas emrit të Friedrich Engels-it  dhe djalit të tij, Vladlen, sipas emrit të Vladimir Leninit.

Markizov ishte një zyrtar i suksesshëm sovjetik. Në vitin 1936, ai punoi si Komisar Popullor i Bujqësisë në Republikën Autonome Sovjetike-Socialiste të Buryat-Mongol-it në Siberi.

Ishte një nder i madh për Markizovin që të udhëtonte në Moskë me një delegacion zyrtar të Buryat-Mongol-it, vetëm për të takuar Stalinin, por ishte vajza e tij ajo që e vodhi shfaqjen.

“Edhe unë doja të shkoja të shihja Stalinin dhe iu luta babait tim që të më merrte me vete, por ai kundërshtoi”, kujton disa dekada më vonë Engelsina, shkurt Gelya.

“Nuk je anëtare e delegacionit, që të të lejojnë të hysh”, i thoshte babai. Nëna, megjithatë e përkrahte.

Çuditërisht, doli se fëmijët u lejuan të vizitonin Kremlinin pa një leje të veçantë, kështu Markizov e mori Gelyën me vete. Në një moment, pasi u habit me fjalimet e pafundme të zyrtarëve mbi përparimin në fermat e tyre bujqësore, fëmija 7-vjeçar  vendosi të përqafonte udhëheqësin sovjetik.

“Mora dy buqeta me lule dhe shkova në presidium, duke menduar që t’i jap Stalinit këto lule”, tha Markizova.

Megjithëse i habitur, Stalini dukej i lumtur, madje e mbajti Gelya-n në krahë dhe e vuri në tryezën e presidiumit.  Ajo i dha atij lule dhe, kur e përqafoi, kurse gazetarët filluan të fotografonin.

Portreti ikonik

“A të pëlqejnë orët?”, e pyet Stalini vogëlushen. “Po” ishte përgjigja e vajzës, ndonëse ajo kurrë nuk kishte patur një të tillë.

Dhe udhëheqësi i dha Gelya-s një orë prej ari dhe familjes së saj një gramafon. Por ato nuk do të ishin dhurata e vetme që ajo do të merrte.

Anatoli Alay, drejtori i filmit të papërfunduar “Stalini dhe Gelya”, citon kryeredaktorin e gazetës Pravda, Lev Mekhlis: “Perëndia vetë na e dërgoi këtë vajzë të vogël nga Buryati. Do ta bëjmë ikonë të një fëmijërie të lumtur“.

Dhe kështu ndodhi, pasi fotografia Stalinit dhe të Gelya-s u botua në të gjitha gazetat dhe u quajt “Miku i fëmijëve”.

“Kur hyra në sallën e hotelit të nesërmen, dhoma ishte e mbushur me lodra dhe dhurata të tjera … dhe kur prindërit e mi dhe unë u kthyem në Ulan Ude, njerëzit më përshëndetën njëlloj sikurse më vonë do të përshëndesnin astronautët”, kujton Markizova.

Georgy Lavrov, një skulptor i famshëm, krijoi një monument për Stalinin dhe Gelya-n, i cili u bë shumë popullor. Gelya ishte kudo, por jo për shumë kohë.

Rënia

Një vit e gjysmë më vonë, në vitin 1937, gjithçka përfundoi: Ardan Markizov, i përkushtuari komunist i cili adhuronte Stalinin, u arrestua.

“Babai ishte i sigurtë se ishte një gabim dhe se ai do të kthehej”, kujton Gelya. Por kjo nuk ndodhi. Ai u dënua padrejtësisht për spiunazh për Japoninë dhe u pushkatua në qershor të vitit 1938. Letrat e të bijës për Stalinin, ku ajo i lutej për mëshirë, nuk ndihmuan.

Udhëheqësi nuk u ndie kur jeta e Gelya-s po copëtohej. Autoritetet arrestuan edhe nënën e saj Dominika, dhe e dëbuan atë në Kazakistan, ku u gjet e vdekur në vitin 1938.

Markizova besonte se edhe nëna e saj ishte vrarë: kreu i shërbimit sekret vendës i dërgoi një letër Lavrenty Beria-s, shefit të policisë sekrete të Stalinit, ku shprehte shqetësimin se Dominika mund të përpiqet të nxjerrë veten të pastër duke përdorur “lidhjen” e vajzës së saj me Stalinin. “Me këtë kërkesë, Beria shkroi me një laps blu: ELIMINOJE”, tha Gelya.

Sa i përket vetë Gelya-s, ajo u fshi nga raportet zyrtare. Një çështje e ndërlikuar. Stalini nuk mund të dilte në foto me “bijën e armikut të popullit”. Por gazetat ishin botuar tashmë dhe skulpturat ishin bërë, kështu që prej nga ai moment vajza nëpër foto u quajt Mamlakat Nakhangova. Gelya Markizova u fshi.

Një tjetër jetë

Jetimja nëntë vjeçare kishte mbërritur në Moskë, ku jetoi me hallën e saj, duke marrë dhe mbiemrin e saj – Dorbeyeva. Për fat të mirë, autoritetet nuk vendosën për eliminimin e saj.

Ajo u martua dy herë dhe punoi si orientaliste e specializuar në Kamboxhia. Në vitin 2004, vetëm disa javë pasi Anatoli Alay filloi të drejtonte një film rreth saj, Engelsina vdiq. Ajo ishte 75 vjeçe.

“Vetëm pasi njerëzit filluan të kthehen nga kampet e punës dhe të vërtetat u zbulua për epokën e Stalinit, e kuptova çfarë ishte ai”, tha ajo duke kujtuar se pavarësisht të gjithave ajo ka qarë e ka bërtitur ditën e vdekjes së Stalinit, ashtu sikurse edhe shumë sovjetikë të tjerë. Kaq shumë karizmatik pati qenë “miku më i mirë i fëmijëve”.

Dossier