Sport22 Maj 2018, 23:25

Milani në ankth, UEFA ka hedhur poshtë kërkesën e tij dhe pritet ta pezullojë klubin kuqezi

Shkruar nga Pamfleti
Milani në ankth, UEFA ka hedhur poshtë kërkesën e tij dhe

Milani në ankth, UEFA ka hedhur poshtë kërkesën e tij dhe pritet ta pezullojë klubin kuqezi

Milani po kalon momente ankthi pasi rrezikon të mos marrë pjesë në Ligën e Europës, si pasojë e shkeljes së rregullave të “Fair-Play”-it financiar. UEFA ka vendosur sot të rrëzojë planin e rifinancimit që i kishin paraqitur drejtuesit kuqezinj, duke e dërguar këtë skuadër para komisioneve të saj për të marrë masa administrative si pasojë e shkeljeve të rregullave të Fair Play Financiar. Klubi kuqezi kishte paraqitur një plan katërvjeçar, nëpërmjet të cilit mundohej të shpjegonte se shpenzimet e larta të bëra në verën e kaluar si dhe ato që pret të bëjë në verë, do të financohen nga të ardhurat që do të sigurohen në vitet në vijim.

Megjithatë, UEFA nuk e ka cilësuar të besueshëm këtë plan dhe e ka refuzuar, duke denoncuar tashmë kuqezinjtë si shkelës të rregulloreve. “Zyra e hetimit financiar është e opinionit se përveç faktorëve të tjerë, mbeten pasiguri rreth rifinancimit të kredisë që duhej të paguhet në tetor 2018”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar të UEFA-s. Tashëm pritet të mësohet masa ndëshkimore ndaj Milanit, e cila parashikohet të jetë një gjobë e majme si dhe pamundësia për të aktivizuar disa nga yjet e skuadrës në aktivitetet europiane. E vërteta është se Milani rrezikon të pezullohet për një vit nga aktivitetet sportive europiane për shkak të shkeljeve. /Pamfleti Sport

Sport