Policia gjermane ka njoftuar se 14 persona të dyshuar për kontrabandë kokaine nga Amerika e Jugut në Gjermani u arrestuan dhe rruga e tyre e trafikut dhjetëvjeçar u çmontua, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar.
28 të dyshuar akuzohen për lidhje me nëntë dërgesa, që arrijnë në rreth 5 tonë kokainë, thuhet në deklaratën e përbashkët të Zyrës Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA) dhe zyrës së prokurorit publik të Berlinit.
“Me urdhër-arrestet dhe kontrollet sot, ne kemi thyer zinxhirin e furnizimit” tha kryeprokurori Georg Bauer.
Më shumë se 40 vendndodhje u kontrolluan në Gjermani dhe jashtë saj, si pjesë e operacionit dhe policia sekuestroi prona me vlerë mbi 14 milionë euro (15.9 milionë dollarë) nga tetë persona.
Përveç zbatuesve të ligjit në Berlin dhe Dortmund, janë përfshirë edhe hetues në Letoni dhe Spanjë.
Në shkurt, autoritetet doganore gjermane dhe belge kapën një sasi rekord prej mbi 23 ton kokainë në dy bastisje.
Konfiskimet e kokainës në Bashkimin Evropian arritën nivele rekord me 213 tonë në vitin 2019, sipas të dhënave më të fundit nga agjencitë e drogave të Kombeve të Bashkuara dhe BE-së.