Bota27 Tetor 2022, 00:39

Miratohet Qeveria e re e Serbisë, kabineti i Ana Bërnabiç merr 157 vota në Parlament

Shkruar nga Pamfleti
Miratohet Qeveria e re e Serbisë, kabineti i Ana Bërnabiç merr

Miratohet Qeveria e re e Serbisë

Parlamenti i Serbisë ka votuar të mërkurën për Qeverinë e re, e cila do të ketë prioritet investimet në infrastrukturën e energjisë dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Me 157 vota në favor dhe 68 kundër, nga 250 deputetë në parlament, legjislativi ka miratuar kabinetin e ri qeveritar, i cili – sikurse në dy mandatet e shkuara – do të drejtohet nga Ana Bërnabiç. 

Qeveria e re do të ketë 28 ministra, kryesisht të zgjedhur nga Partia Progresive Serbe dhe Socialistët, 4 prej të cilëve do të ruajnë edhe detyrën e zv.kryeministrit.

Ndërkaq, ministër i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme do të jetë Tomislav Momiroviç. Departamenti i Bujqësisë dhe Pylltarisë do të udhëhiqet nga Jelena Tanaskoviç, Mjedisi nga Irena Vujoviç dhe Ndërtimtaria, Transporti e Infrastruktura nga Goran Vesiç. Ministre e Drejtësisë, Maja Popoviç.

Ministre e Minierave dhe Energjetikës do të jetë Dubravka Djedoviç. Aleksandër Martinoviç do të drejtojë Ministrinë e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, ndërsa Tomislav Zhigmanov do të drejtojë ministrinë për të Drejtat e Minoriteteve dhe Dialogun Social.

Ministër i Punëve të Brendshme do të jetë Bratislav Gashiç, ministre e Edukimit Branko Ruziç, Tanja Miscevic do të jetë ministre për Integrimin Evropian, ndërsa Departamenti i Shkencës dhe Inovacionit do të drejtohet nga Jelena Begovic.

Ministre e Shëndetësisë do të jetë Danica Grujiçiç, për Punë, Punësim dhe Çështjen e Veteranëve, Nikolla Selakoviç dhe për Përkujdesje Familjare, Darija Kisiç.

Husein Memic do të jetë Ministër i Turizmit dhe Rinisë, ndërsa Zoran Gajic do të jetë Ministër i Sportit. Në krye të ministrisë së Ekonomisë do të mbetet Rade Basta, ndërsa Ministrinë për Përkujdesje ndaj Fshatit do ta kryesojë Milan Krkobabiç.

Ministria e Telekomunikacionit dhe Informacionit do të udhëhiqet nga Mihailo Jovanoviç, sakaq Ministria e Investimeve Publike nga Marko Blagojeviç.

Qeveria e re serbe krahas 25 ministrive do të ketë edhe 3 ministra pa portofol: Novica Toncev, Djordje Milicevic and Edin Djerlek. Pas votimit, kryeministri dhe ministrat e rinj dhanë betimin, teksti i së cilës vijon të qëndrojë i pandryshuar dhe në shkelje të plotë me sovranitetin e një shteti të pavarur sikurse është Kosova.

“Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë dhe premtoj me nderin tim se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve dhe do të kryej detyrën time si anëtare e qeverisë me ndërgjegje, përgjegjësi dhe përkushtim, të angazhohemi për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë në kuadër të Republikës së Serbisë”- përfunduan betimin kabineti i ri qeveritar i Serbisë.

Kosova dhe Metohija është emri zyrtar për atë që autoritetet serbe e konsiderojnë si krahinë jugore të serbe. Presidenti Aleksandar Vuçiç, diplomatë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare morën gjithashtu pjesë në ceremoninë e betimit, ndërsa grupi i deputetëve të Partisë së Gjelbër të Majtë u larguan nga salla e Parlamentit për shkak të pranisë së Vuçiçit.

Në këto kohë të vështira dhe të paqëndrueshme, Serbia ka nevojë për një qeveri që do të dijë të ruajë paqen, të vazhdojë përparimin ekonomik dhe të mbrojë pavarësinë e vendit tonë dhe shpirtin liridashës. Ajo që unë pres nga ju është që interesat e Serbisë dhe të popullit tonë të jenë qëllimi juaj i vetëm dhe puna, dija dhe nderi do t’ju shpjerë gjithmonë në realizimin e saj”- tha Vuçiç, teksa i uroi kryeministrit dhe ministrave suksese në detyrën e re.

Nga ana tjetër, kreu i ekzekutivit serb, Ana Brnabiç, prezantoi programin dhe propozoi anëtarët e kabinetit të saj, duke bërë të qartë se interesat e Serbisë dhe pavarësia vendimmarrëse e vendit janë “vijat e kuqe (që nuk duhen cenuar), të qarta për të gjithë”.

Serbia mbajti zgjedhjet parlamentare më 3 prill, por rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën më 5 korrik për shkak se në disa qendra të votimit në Jug u përsëritën zgjedhjet. Analistët thonë se presidenti Vuçiç donte të vononte sa më gjatë formimin e një qeverie të re për të shtyrë marrjen e vendimeve të mëdha, që mund të dëmtonin pozitën e tij në mesin e elektoratit kryesisht pro-rus. Rusia ushtron ndikim të fortë politik në Serbi, e cila konsiderohet aleati më i fortë i Moskës në Evropë. Ndërkaq, në Perëndim ekziston frika se Moska e përdorë Beogradin për të destabilizuar fqinjët në Ballkan, të cilët ende janë duke u rimëkëmbur nga luftërat shkatërruese të viteve të 90-ta./ Pamfleti

Rajoni barnabic Qeveri Serbi Vucic zgjedhje