Aktualitet10 Shkurt 2023, 14:33

Misteri i vdekjes së Saimir Sulës, Prokuroria e Tiranës kërkon informacion nga Spanja: Zemrën e sjellin në Shqipëri pas analizës së ADN

Shkruar nga Pamfleti
Misteri i vdekjes së Saimir Sulës, Prokuroria e Tiranës

Kur kanë kaluar më shumë se 2 vite nga vdekja e të riut shqiptar në Spanjë, Saimir Sulës, familjarët ende nuk kanë një përgjigje për shkakun përse vdiq 31-vjeçari në spitalin spanjoll, teksa në trupin e tij mungonte zemra, Prokuroria e Tiranës ka njoftuar sot se për këtë çështje është zhvilluar në Barcelonë një takim mes autoriteteve të dy vendeve. Në takim morën pjesë, Monica Marcos, Prokurore pranë Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Sonia Canal Prokurore e çështjes, si dhe Suela Salavaci Prokurore e çështjes pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë.

Prokuroria bën me dije se në takimin e dy ditëve më parë (8 shkurt 2023) u diskutuan çështjet të lidhura me hetimin si ecuria e ekzekutimit të letërporosisë së dytë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dërguar në Prill 2022, për të cilën pala spanjolle informoi se e kanë shqyrtuar dhe informacioni e kësaj kërkese dhe shumë shpejt do të përcillet pranë autoriteteve shqiptare, pasi është në përfundim. Dhe çështja e dytë e rëndësishme kishte të bënte me dërgimin e zemrës së të ndjerit Saimir Sula autoriteteve Shqiptare për të kryer analizën e ADN-së.

Për këtë çështje pala spanjolle ka sqaruar se për shkak të hapjes së çështjes në Spanjë nga familjarët e të ndjerit, si dhe në kushtet kur shqyrtimi i çështjes aktualisht është në Gjykatën e Lartë, pritet marrja e vendimit nga ana e kësaj gjykate dhe më pas do të procedohet me dërgimin e zemrës në Shqipëri.

“Në kushte kur ekzekutimi i letërporosisë është në proces, kryerja e testit të ADN-së do të vendoset nga gjykata spanjolle e cila aktualisht e ka në shqyrtim, por në çdo moment në përfundim të proceseve në Spanjë, zemra do të dërgohet në Shqipëri”, thuhet në njoftim

Aktualitet #Misteri i vdekjes së Saimir Sulës Prokuroria e tiranës