
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar se Greqia nuk do t’i japë Ukrainës tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman, me argumentin se Athina tashmë i ka dhënë Kievit mbështetje të konsiderueshme ushtarake, duke përfshirë transportuesit e personelit të blinduar.
“Ne nuk do të ofrojmë tanke Leopard 2 për arsyen e thjeshtë se ato janë absolutisht të nevojshme për qëndrimin tonë të mbrojtjes. Ne gjithashtu e kemi bërë gjithmonë shumë të qartë se jemi të gatshëm të mbështesim Ukrainën, por jo në kurriz të aftësive tona mbrojtëse”, tha Kyriakos Mitsotakis.
Aleatët e NATO-s kanë debatuar javët e fundit nëse do të dërgojnë tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman në Ukrainë për të ndihmuar Kievin që të largojë trupat ruse nga territori i tij. Pas shumë shqetësimesh, Gjermania ndoqi vende të tilla si Polonia në pranimin e dërgimit të tankeve në Ukrainë.
Greqia nuk do të ndjekë shembullin e aleteve, mohimi i Mitsotakis erdhi pasi mediat ukrainase thanë se qeveria tij do të dërgojë tanke Leopard-2 në Ukrainë.
Mitsotakis nuk la pa akuzuar Turqinë për të cilën tha se po bënë lojë të dyfishtë, duke përfituar nga lufta në Ukrainë. Ai sulmoi Ankaranë për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe refuzimin për të ratifikuar pranimin e Suedisë dhe Finlandës në aleancën ushtarake.
“Pozicioni turk brenda NATO-s ka frustruar shumë anëtarë të NATO-s dhe kjo nuk ka të bëjë fare me veçoritë e agjendës dypalëshe greko-turke. Po përfiton shumë nga fakti që ka një marrëdhënie të veçantë ekonomike [me Rusinë]. Nëse i përkisni një aleance, e cila është gjithashtu një aleancë vlerash, nuk mund të uleni në mes,” tha Mitsotakis.