
Modeli anti-Erdogan, si ilaç për sëmundjen e opozitës shqiptare
Diskutimi publik për kandidatin e mundshëm, nuk stërvit vetëm ata që do të garojnë, por në radhë të parë njerëzit që do të kenë një alternativë ndryshe shqyrtimi, përveç pallavrave të agjitprop-it të Edi Ramës.
Ngërçi politik që ndodh në Shqipëri, me një pushtet të stërgjatë për Edi Ramën, është një fenomen që në Ballkan pasqyrohet edhe në Serbi. Ku Aleksandër Vuçiç fiton vazhdimisht zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore. Duke i dhënë opozitës dhe shoqërisë një frustracion, i cili vijon pa ndalim edhe falë një mungese vizioni dhe kapaciteteve të opozitave.
E gjithë kjo panoramë, që njihet si autokraci, është një model infektues që u injektua si virus nga sulltani i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. I cili ka që në vitin 1993 në pushtet, e vetëm forcohet si pasojë e një monopolizimi të oligarkisë politike, financiare dhe religjoze.
Deri në vitin 2019, Erdogan ishte i pathyeshëm, ç’ka e kishte çuar edhe atje opozitën në një situatë depresive, ku asnjë lider nuk merrte përsipër të garonte me Sulltanin.
Por 3 vjet më parë, Erdogan theu hundët keq në dy qytetet më të rëndësishme dhe moderne të Turqisë; kryeqytetin Ankara dhe metropolin e qytetin më të madh Stambollin, ish-kryeqendrën perandorake.
Opozita socialdemokrate e CHP-së, garoi si kandidatë për kryetarë bashkie, dy emra jo klasikë të politikës së udhëheqjes së partisë, por njerëz që vinin nga shoqëria.
Në Stamboll kandidoi një ndërtues me emër në qytet, i cili sapo hyri në fushatë, propozoi si model të Stambollit, një politikë krejt ndryshe nga ajo që Erdogan kishte zbatuar si kryebashkiak para shumë vitesh, ku dhe e ngriti popullaritetin e tij.
Ekrem İmamoglu, nuk ju kundërvu rritjes së qytetit, por shpalli një platformë për të mbështetur direkt më të varfërit, i ashtuquajtur “Program i Qumështit”, për të ushqyer fëmijët e varfër në kopshtet publike, duke ua blerë fermerëve direkt, çka dhe rriti prodhimin. Apo ofrimi falas i një transporti publik modern për studentët dhe nënat me shumë fëmijë dhe pjesës së varfër etj etj. Pra në thelb, ai ofroi një model ndryshe për metropolin e madh, por ajo që ishte më e rëndësishmja doli hapur në antitezë me modelin oriental të Erdogan, duke ofruar një model Perëndimor. Dhe fitoi! Njëjtë ndodhi edhe me Ankaranë, ku opozita kandidoi një avokat nacionalist që kishte qenë për vite anëtar i këshillit bashkiak, Mansur Yavash, i cili gjithashtu si kandidati i Stambollit mori përsipër të përfaqësojë ata qytetarë të Ankarasë që model kanë Mustafa Qemal Ataturkun e jo Erdoganin apo sulltanët osmanë. Dhe fitoi! Sot, pas kësaj fitoreje, opozita turke ka shumë mundësi për të mundur një Erdogan autokrat dhe të plakur nga nepotizmi, klientelizmi, obskurantizmi, e natyrisht edhe nga degradimi fizik si pasojë e sëmundjeve të njëpasnjëshme.
Në të njëjtin koncept, edhe opozita shqiptare, duhet të dalë përtej vetes, përtej izolimit dhe egoizmit me lojërat e primareve, por të identifikojë një kandidat që ka idenë më të vlefshme për të qeverisur bashkitë e Shqipërisë. E kjo duhet bërë, duke e hapur rrezen e diskutimit, jo thjesht me votime që në fund gjithçka është ‘fake’, por me tryeza ku të identifikohen njerëzit e duhur. Natyrisht, jo duke i marrë nga rruga si mitomanët që flasin në foltoret e Berishës, por duke krijuar një komision ekspertësh që të thithë platformat dhe profilet më të mira, të cilat do të duhet të jenë pjesë e një sondimi publik.
Vetëm atëherë, Edi Ramës mund t’i dridhet toka nën këmbë.
Opozita, duhet t’i heqë Ramës alibinë se po dialogon me shqiptarët. Dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të nxjerrë kandidatin në minutën e fundit si në rastin e doktor Kosovës, i cili ishte i papërgatitur për një proces të egër politik, dhe e vetmja armë që përdorte në fushatë ishte të gjente njerëzit që i kishte asistuar në lindje. A thua se po zgjidhnim kryeobsetrin e jo kryebashkiakun.
Diskutimi publik për kandidatin e mundshëm, nuk stërvit vetëm ata që do të garojnë, por në radhë të parë njerëzit që do të kenë një alternativë ndryshe shqyrtimi, përveç pallavrave të agjitprop-it të Edi Ramës./Pamfleti