Aktualitet27 Janar 2019, 13:08

Moikom Zeqo paralelizon Shqipërinë me thënien e Shekspirit: “Ti takove atë që po vdes, unë atë që sapo lindi”. Në m

Shkruar nga Pamfleti
Moikom Zeqo paralelizon Shqipërinë me thënien e Shekspirit:

Moikom Zeqo paralelizon Shqipërinë me thënien e Shekspirit: “Ti takove atë që po vdes, unë atë që sapo lindi”. Në mos sot, me siguri nesër

Një vështrim mbi ndryshimet e fundit në qeveri. Çfarë mendon Moikom Zeqo për ministrat që ikën dhe ata që erdhën. Përse u “harrua” përkujtimi i 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit. Pse Moikomi thotë që Ministria e Kulturës është Ministria Hirushe, plotë problematika të mëdha dhe disa herë të pazgjidhshme. Një parashikim drithërues mbi koncesionet që sipas tij po e rëndojnë shumë të Ardhmen Ekonomike të Shqipërisë që do të stimulojnë krizë e cila mund të jetë edhe e frikshme. Një bisedë në Dita mbi aktualitetin, ndryshimet në qeveri, kulturën, koncesionet, ekonominë dhe… studentët.

I nderuari Moikom, si i vlerësoni ndryshimet e fundit në qeveri?

Këto 28 vjet të tranzicionit, padyshim që ndryshimet që bëri Kryeministri në Qeveri janë më radikalet. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të ndryshojë 70 për qind e kabinetit qeveritar.

Për nga rëndësia e ministrave të ndryshuar, mund të thuhet se kemi një ndryshim tërësor të Qeverisë, ç’ka mund të artikulohet si një tjetër Qeveri, ose një Qeveri e Re.

A e ka të drejtën Kryeministri për një ndryshim kaq radikal?

Unë mendoj se nuk ka asnjë pengesë kushtetuese për ta bërë këtë gjë. Por nuk është thelbi ky ndryshim kaq i bujshëm. Thelbi ka të bëjë me mentalitetin e qeverisjes. A mund të kemi një ndryshim, apo transfigurim të nocioneve bazë të qeverisjes? A mund të pranojmë sipas një logjike formale, se një qeverisje e re bëhet vetëm duke ndryshuar kuajt e karrocës?

Për mendimin tim modest është tepër e vështirë për të mos thënë gati e pamundur për të bërë krahas ndryshimit numerik radikal, edhe ndryshimin botëkuptimor, apo profesional të qeverisjes.

Thelbi i thelbeve i një qeverisjeje është karakteri i thugët profesional. Ky është problemi substancial, me të cilat u mor një gjeni i sociologjisë politike, Maks Veber.

Sipas Veberit, nuk mund të ketë një qeverisje efektive, pa një administratë profesionistë të mëdhenj dhe të specialistëve më të mira të vendit.

Tërë ky ekip duhet të gëzojë një autonomi relative dhe të ketë raporte sigurie dhe të meritokracisë së karrierës, pavarësisht posteve politike apo simboleve të përfaqësimit politik mbi administratë.

Kjo administratë që u quajt metaforikisht si “administrata veberiane”, nuk ishte pa një ndikim arketipal, nga tezat e filozofit Platon, i cili që para 26 shekujsh është shprehur se shteti duhet të drejtohet nga të diturit dhe filozofët, kurse përfaqësimi politik është konvencional, për arsye se nuk duhet kundërvënë vullnetit diturak të administratës.

Po a kemi ne të bëjmë sadopak në Shqipëri me një shëmbëlltyrë qoftë dhe të ëndërruar të “administratës veberiane”?

Eshtë qesharake ta mendosh një gjë të tillë. Është absurde ta pretendosh një gjë të tillë.

Mua nuk më shqetëson fare ndryshimi radikal i qeverisë që bëri Kryeministri. Mua më shqetëson fakti se këta ministra anonimë, (pavarësisht se kanë emra konkretë), që në çastin që u shkarkuan u kthyen në Askushë, pra ishin të klonuar dhe nuk mbartnin, me ndonjë përjashtim, personalitete të vetvetes, pra nuk është se lanë ndonjë gjurmë dhe u harruan në çast, madje askush nuk diskutoi më për ta. Pse ndodhi një gjë e tillë? Besoj se të gjithë njerëzit e kuptojnë këtë gjë.

-Zhurma më e madhe u bë për mosdekretimin nga ana e Presidentit të Ministrit të Jashtëm. Shikoni ndonjë ngërç në këtë rast?

Mua më duket se Presidenti i Republikës veproi, pavarësisht nëntekstit të ndonjë lufte politike ndaj Kryeministrit, veproi konform Kushtetutës. Është krejtësisht e vërtetë, që Kryetari i Partisë që fiton zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, formalizohet si Kryeministër juridikisht, por nuk duhet harruar që ai ka dhe mbart peshën e votës popullore.

Në rastin e një njeriu të ri 28 vjeç, që nuk e ka këtë atribut të votës popullore, dmth. statusin e deputetit, emërimi i tij si Ministër është një procedurë ku Presidenti ka jo aq të drejtën formale të zgjedhjes, sesa të drejtën e një arsyetimi dhe të një logjike të një njeriu, që vetvetiu nuk e ka statusin e duhur publik. Ajo që më habit është fakti se emërimi i dyfishtë i Kryeministrit edhe si ministër i Jashtëm, është korrekt kushtetueshmërisht. Në këtë pikë, Presidenti nuk është se bëri ndonjë trill surrealist, apo një shpikje juridike. Presidenti bëri diçka normale. Formalisht u bë dhe betimi i kryeministrit si ministër i Jashtëm. Ku është ngërci këtu? Nuk ka asnjë lloj ngërçi.

Ngërçi fillon, që fill pas këtij akti, kemi në mënyrë publike delegimin e detyrës së ministrit të Jashtëm, tek një zëvendësministër i quajtur Gent Cakaj. Ky delegim që ka karakterin e një delegimi extra, është gati i pashembullt në pikëpamje të praktikës së përgjithshme. Po çështja nuk është fare te delegimi. Posti i ministrit të Jashtëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ky post detyrimisht kërkon Paritetin Diplomatik.

Çdo të thotë Paritet Diplomatik? Paritet Diplomatik do të thotë që ministri i Jashtëm i çdo vendi europian, apo dhe Sekretari i Shtetit në SHBA, në takime bilaterale, duhet të takojë homologun me statusin e njëjtë ministror. Nuk mundet të takojë një ministër i Jashtëm i huaj, një të ngarkuar me delegim në postin e lartë të Kryediplomatit.

Mos vallë vetë Kryeministri do ta luajë këtë rol në takimet bilaterale, duke e lënë në hije zv/ministrin? Kjo do të krijojë një vështirësi absolute të praktikës reale dhe të lëvizjeve.

A mundet një djalosh i ri, krejtësisht i panjohur më parë, të luajë rolin ministror me kompetenca të plota?

Është e pamundur. Pavarësisht një urdhri të brendshëm për gjithë Sistemin Diplomatik Shqiptar për të bërë një njohje të padiskutueshme të atributeve të zëvendësministrit, si një Ministër i padefinuar nga pikëpamja juridike. Është shumë e vështirë të mendosh një funksionim normal.

Mua më duket që Gent Cakaj është personazh i krijuar , i alambikuar nga Media, duke u sfumuar kështu në të vërtetë konkretësia e tij njerëzore.

Dy ish-diplomatë të shquar shqiptarë që janë personalitete të vërteta, të ditur dhe me integritet moral, Zef Mazi dhe Fatos Tarifa, me të drejtë kanë publikuar dyshimet dhe mosaprovimin e tyre, për luajtjen e rolit ministror nga një zëvendësministër, duke u ndalur edhe në mungesën e përvojës së djaloshit të ri, që para ca kohësh nuk dinte Askush Asgjë.

Analizat e Zef Mazit, sidomos për faktin se në vitin 2019 për herë të parë në historinë e vet, Shqipëria merr kryesimin e OSBE-së dhe kërkohet një koncentrim i pashembullt profesional që nuk ka të bëje vetëm me Shqipërinë, por me të tërë vendet europiane, por dhe me diplomacinë botërore.

Janë të vetëmjaftushme, që pavarësisht zgjedhjes publike që është bërë, do të jetë absolutisht e pamundur që ky djalosh i ri “qoftë edhe gjeni në vetvete”, megjithëse Shqipëria nuk shquhet për gjeni, të drejtojë jo vetëm dikasterin qeveritar të diplomacisë, por sidomos përfaqësimin tashmë në emër të OSBE-së, që mesa di unë, përfshin një periudhë gati tre vjeçare. Unë mendoj që Kryeministri ka për të reflektuar. Unë besoj se Kryeministri do të bëje ndryshimet e duhura.

Por kam një mendim që në drejtim të diplomacisë duhet treguar, në mënyrë tashmë radikale, një ndryshim i madh, për të bërë një epokë të re.

Diplomacia është Sublimim i Shtetit. Diplomacia është e vetmja gjë që prezanton Personalitetin Shtetëror. Në marrëdhëniet e shumëfishta diplomacia ka në dorë kredencialet, për ta bërë të njohur vendin dhe kombin në rrafsh ndërkombëtar.

Asnjë dikaster tjetër nuk e ka këtë atribut. Përveç diplomacisë. Pas Kryeministrit, detyra më përfaqësuese e qeverisë është ajo e Kryediplomatit. Përgjithësisht Kryediplomatët duhet të jenë personalitetet më të shquara të vendit. Po jap nje shembull klasik, që është i njohur nga të gjithë.

Kur shteti i Kilit, që ishte në një gjendje plotë probleme ambiguide, zgjodhi Ambasador në Paris poetin me famë botërore, kilianin Pablo Neruda, u kuptua qartë se ky personalitet gjenial bëri për vendin e tij gjëra të paimagjinueshme, pavarësisht statusit kontradiktor dhe plot probleme të vendit që përfaqësonte, dmth. të Kilit.

Edhe shqiptarët e kanë nje shëmbëlltyrë të jashtëzakonshme të diplomatit në botë: Wshtë fjala për Faik Konicën. Është realiteti i Faik Konicës, që bën më të qartë tezën se Diplomacia është Sublimim i Shtetit. Për fat të mirë, Shqipëria ende ka një numër të njohur të personaliteteve të diplomacisë së saj. Secili nga këta personalitete mund të jepte një kontribut.

Po përmend dy prej tyre: Pëllumb Xhufi dhe Arta Dade.

Padyshim që përvoja është e madhe. Nuk them që ata të rimarrin statusin e Kryediplomatit, por duhet të jenë në substancën aktive të diplomacisë shqiptare. Ata nuk kanë nevojë për këtë gjë.

Por shteti ka nevojë. Kaq e thjeshtë është kjo. Nuk është as çështje inati dhe as çështje preferencash. Është një çështje logjike.

A e njihni ministren e re të Kulturës dhe cila është konsiderata juaj për të?

Në të vërtete nuk e njoh dhe të them të drejtën, kurrë në jetën time nuk kam artikuluar emrat e atyre që propozohen për postin e Ministrit. Vetëm mund t’i uroj më gjithë zemër të ketë sukses në punën e saj, ndonëse Ministria e Kulturës për mendimin tim është Ministria Hirushe, plot problematika të mëdha dhe disa herë të pazgjidhshme. Ministria e Kulturës, me fondin e saj, ndër më të vegjlit në rajon, nuk ka zgjidhur ende një çështje substanciale, që është statusi juridik i Njeriut të Kulturës, që aktualisht është zero nga Politika.

Kjo është e vërtetë, ndonëse është shumë e dhimbshme. Ndërkohë, dua të rikujtojë këtu një skandal të vërtetë, që ndodhi në shtetin shqiptar me rastin e moskujtimin në mënyrë institucionale madhështore të 100-vjetorit të vdekjes së Ismali Qemalit, Themeluesit të Shtetit Modern Shqiptar. Ju rikujtoj se ishte 100-vjetor, është diçka e rrallë në jubiletë, nuk ishte as 98-vjetor, as 102-vjetor.

Ministria e Kulturës, por dhe Shtetit Shqiptar, institucionet akademike në të dy shtetet shqiptare, në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, apo në Mal të Zi dhe në diasporë, duhet ta përkujtonin 100-vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit, me një nderim dhe madhështi të paparë. Duhej patjetër që viti 2019 të shpallej viti përkujtimor në rrafsh shtetëror, i përkujtimi të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit.

Është tronditëse dhe e tmerrshme, një “harresë” e tillë e pakuptimtë. Unë vetë, në vitin 2012 i kam kushtuar një libër të tërë figurës së Ismail Qemalit.

Ismail Qemali ende nuk e ka shtatoren e tij të denjë dhe përfaqësuese në sheshin kryesor të Tiranës.

Çfarë bëjnë me këto miliona euro që harxhohen kot për “forma zbukurimore”, apo dhe për statuja të huajsh, të cilët kanë thënë dikur një fjalë të mirë për Shqipërinë, kur për Babanë e Shtetit Modern Shqiptar, Ismail Qemalin, në mënyrën më ambiguide dhe më okulte nuk bëhet asgjë?

Kjo duket e pabesueshme.

Një nga aspektet e punës së kësaj qeverie që po i humbet besueshmërinë, është çështja e koncesioneve dhe marrëveshjet e partneritetit publik–privat. Mos ka ndonjë hiperbolë në këtë mes?

Besoj që unë i pari që kam shkruar në DITA, që para katër vjetësh, me një kriticizëm të thellë për nje nga dogmat më të rrezikshme të Neoliberalizmit, që është PPP, dmth. Partneriteti Privat dhe Publik. Ai që ma konfirmoi më shumë që kisha të drejtë në këtë kriticizëm, qe sociologu gjenial Zigmund Bauman, i cili në kryeveprën e tij analitike “Moderniteti i lëngët”, merret në mënyrë të posaçme dhe të koncentruar me atë që ai e quan “kolonizimi privat” ndaj “publikes”. Bauman mendon që PPP-të janë një anulim negativ i funksioneve publike të shtetit.

Bauman mendon se shteti ka një karakter të mirëfilltë publik, për të gjitha subjektet private, për të mbajtur ekuilibrin dhe kohezionin social, por edhe për të rregulluar kaosin e egër dhe për subjektivizmim ekstrem, me ambicie të pakufishme dhe shpesh kriminale të subjekteve private.

Futja në rrugën e PPP-vë e ka rënduar dhe do ta rëndojë shumë të Ardhmen Ekonomike të Shqipërisë, duke stimuluar patjetër një Krizë të Ardhshme Ekonomike, e cila mund të jetë edhe e frikshme.

Opozita ka paralajmëruar nisjen e protestave. A mund të rrëzohet Rama me protesta?

Jam tepër skeptik për artikulimin në publik të gjoja theksit revolucionar të mosbindjes civile, me anë të protestave kundër Qeverisë “Rama”. Statusi i opozitës dhe konkretisht i dy partive opozitare, si PD dhe LSI, është larg substancës së protestave popullore. Të dy këto parti nuk mund të identifikohen dot me protestat popullore. Masat popullore në vetvete nuk kanë asnjë lidhje të brendshme me të ashtuquajturën opozitë reale për Shqipërinë.

Rama nuk mund të rrëzohet me protesta. Aq më tepër që nuk mund të rrëzohet sipas fantazisë onirike të krerëve të opozitës së të dyja partive, të cilat po japin më shumë rëndësi, duke e besuar vetë thjesht retorikës dhe jo realitetit përvëlues shoqëror që ekziston. Protestat e opozitës për mua nuk kanë të ardhme të afërt.

E vetmja gjë serioze në realitetin shqiptar, janë protestat e studentëve dhe të atyre pedagogëve të arsimit të lartë publik, të cilët kanë sjellë si një konceptim të ri, kërkesën shumë të rëndësishme të anulimit të Ligjit aktual të Arsimit të Lartë. Kjo po është një gjë shumë serioze dhe me të vërtetë shqetësuese. Kjo protestë studentore mund të ketë pasoja, sepse lidhet jo vetëm me një afat më të gjatë të protestës, por dhe me strukturat organizative që janë gati të shpartalluara të arsimit të lartë publik. Kurse protestat e opozitës nuk janë gjë tjetër veçse spektakle, të cilat fillojnë dhe mbarojnë brenda kufijve të një dite.

Por dhe sikur të vazhdojnë, nuk e kanë peshën e besueshmërisë së vetëdijshme, pra nuk kanë atë që quhet ndërgjegjja popullore. Unë kam prirje të shikoj ende me pozitivitet, që do të ndryshojë diçka me domosdo në Shqipëri. Padyshim establishmenti i vjetër politik nuk ka të ardhme. Padyshim që përfaqësimi politik parlamentar nuk ka të ardhme. Por Shqipëria nuk duhet quajtur, duke përdorur një përcaktim të poetit gjerman Rilke “Klageland”, dmth. “Vendi i vajtimeve”.

Shqipëria ka ende Shpresë.

Për popullin shqiptar dhe gjeneratat e reja, duhet cituar më shumë me bindje dhe me Shpresë, vargjet e famshme të Shekspirit, që janë: “Thou mettest with things dying, I with things new born” që në shqip tingëllojnë kështu: “Ti takove atë që po vdes, unë atë që sapo lindi”.

Kështu realiteti shqiptar ka përbrenda tij atë që vdes dhe atë që lind. Lum ai, që beson se ky vend nuk mund të rrëzohet përfundimisht dhe Shqipëria gjithsesi do të bëje ndryshimet e veta historike, në mos sot, me siguri nesër, për të qenë një vend normal, demokratik, i emancipuar, i ditur dhe i denjë në rendin e popujve të Europës dhe të Botës.

Aktualitet Moikom Zeqo